Stresi harron Enxhin, kapet mat me një bionde

Sep 24, 2011 | 14:21

Pas lidhjes njëvjeçare me Enxhin, me të cilën u shfaq hapur në publik, reperi i njohur Arkimed Lushaj (Stresi) për herë të parë fotografohet në shoqërinë e një femre të panjohur bionde tek club “Bordo”. Ata janë parë tek argëtoheshin bashkë në club, ndërkohë që nuk dihet asgjë rreth vajzës që shihni në foto. Për sa i përket Stresit, ai deklaroi 1 muaj më parë se i kishte dhënë fund lidhjes me Enxhin. Për historinë e tyre të dashurisë pasionante ata realizuan dhe një këngë me titull “Lamtumirë”, frymëzuar nga mesazhet që kishin shkëmbyer gjatë periudhës që ishin bashkë. Edhe pse u komentua se do ta këndonin këngën të dy, si përfundim kënga është realizuar me një këngëtare kosovare, emri i së cilës do zbulohet vetëm kur të dalë klipi. Përveç “Lamtumirë”, që pritet ta lançojë këto ditë, Stresi ka pohuar se ka shumë plane të reja në muzikë. Një prej këngëve është një duet me Getoar Selimin, me të cilin njihej para pesë vitesh në Belgjikë, miqësi që nuk është komentuar më parë në media. Ndërkohë që këtë vjeshtë do të realizojë një tjetër klip me titull “Bad boys in town”, ku së bashku me reperin Emiljano të “Pa kufijt” dhe dy këngëtarë të tjerë, do të sjellin një këngë në stilin amerikan, ku do të rrëfejnë eksperiencat e tyre në jetë. Kënga po realizohet në studion muzikore BMT dhe natyrisht që do të jetë një nga këngët bazuar në jetën e tyre reale. Ende nuk dihet nëse ai do të konkurrojë këtë vit në festivalin “Kënga Magjike”, festival ku vitin e kaluar u vlerësua me çmim për stilin e tij rap me këngën “Tik-Tak”.

© Panorama.al

Te lidhura