Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleat kyç i NATO-s dhe partner i Evropës, por do t’i japin përparësi sigurisë së vendit dhe frenimit të Kinës, sipas strategjisë së re të mbrojtjes që u publikua dje, të premten.
Dokumenti thekson se Uashingtoni do të vazhdojë të luajë një rol qendror brenda NATO-s, edhe pse do të rishikojë praninë e tij ushtarake në Evropë. Edhe pse angazhimi amerikan në Evropë do të vijojë, strategjia e re nënvizon se SHBA-të “duhet dhe do t’i japin përparësi mbrojtjes së atdheut dhe frenimit të Kinës”.
Në Evropë dhe rajone të tjera, “aleatët do të marrin një rol udhëheqës përballë kërcënimeve që janë më pak serioze për ne, por më serioze për ta, me mbështetje thelbësore, por më të kufizuar nga Shtetet e Bashkuara”, thuhet në dokument.
Publikimi i strategjisë së re të mbrojtjes vjen pas publikimit, në mesin e dhjetorit, të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, e cila u konsiderua gjerësisht si një shkëputje nga tradita e bashkëpunimit të ngushtë transatlantik.
Ai dokument theksonte se strategjitë e mëparshme amerikane nuk i kishin dhënë peshën e duhur interesave kombëtare, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së vendeve të tjera, në dëm të popullit amerikan. Qasja e re, theksohej, udhëhiqet nga parimi “Amerika e Para”.
© Panorama.al












