Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i paraqiti dje Kryeministrit Sali Berisha Strategjinë e re të Mbrojtjes së SHBA, e prezantuar pak ditë më parë nga Presidenti amerikan, Barak Obama. Gjatë takimit, shefi i qeverisë çmoi si me rëndësi për paqen dhe stabilitetin në botë fokusimin më të madh të kësaj strategjie drejt Azisë. Duke vlerësuar lart rolin e SHBA dhe NATO-s në Europë në zgjidhjen dhe stabilizimin e konflikteve në rajonin e Europës Juglindore në dy dekadat e fundit, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbajtjes në të ardhmen të pranisë së SHBA dhe të NATO-s në rajon, si një kusht i rëndësishëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik të këtij rajoni. Kryeministri ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur detyrimet e saj në kuadrin e NATO-s.
Fushata e AKIP
Referendumi për plehrat, nis mbledhja e firmave
Themeluesit e Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve ka hapur dje zyrtarisht fushatën për mbledhjen e 50 mijë firmave, që janë të nevojshme për mbajtjen e referendumit popullor për të shfuqizuar një pjesë të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Përfaqësuesit e AKIP deklaruan se deri në muajin shkurt do të mblidhen firmat në qytete të ndryshme të Shqipërisë. “Qëllimi i referendumit është për t’i thënë jo importit të mbetjeve të plehrave nga jashtë. Të garantojmë zbatimin e ligjit të menaxhimit të mbetjeve tona, i cili nuk ndikohet aspak nga heqja e tri neneve që pretendojmë ne. Kërkesa jonë do të miratohet pasi të kemi mbledhur 50 mijë firma nga qytetarët e Shqipërisë”, tha Kozara Kati, përfaqësuese e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. “Ne si qytetarë ndodhemi përpara një momenti historik të aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumit, për një çështje që na përket të gjithëve, të majtë, të djathtë apo pa parti. Për këtë ju ftojmë të gjithëve që të mbrojmë jetën tonë dhe të brezave që do të vijnë duke e firmosur këtë referendum”, tha Aldo Merkoçi, nga lëvizja “Mjaft”.











