TIRANË- Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Xhonatan Stounstrit ka përsëritur apelin për nisjen sa më shpejt të reformës zgjedhore në bazë të rekomandimeve të bëra në raportin për zgjedhjet e majit, duke këshilluar që ajo të jetë gjithëprfshirëse.
Në konferencën për shtyp para largimit nga vendi ynë, Stounstrit bëri një pasqyrë të vizitës së tij në Tiranë dhe takimit me krerët e vendit e drejtuesit e partive, duke shprehur kënaqësinë që edhe ata ishin të gatshëm për nisjen e reformës, e cila duhet të jetë gati para zgjedhjeve të ardhshme. “Jam i gëzuar që të gjithë përfaqësuesit e kanë mirëpritir raportin, rekomandimet dhe janë dakord me to. Ne punuam gjatë zgjedhjeve që të kishim një raport faktik e të besueshëm me rekomandime që do vlenin. Ky raport të shihet si raport për zgjedhjet dhe ato që do të bëhen tani e tutje”- tha ai.
Stounstrit theksoi se reforma duhet të nisë shpejt, por pa u ngutur. “Palët ranë dakord që duhet të jetë një proces gjithpërfshirës edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Duhet të ndërmerren hapa konkret dhe ODIHR do të japë asistencë e vet për sa kohë që kjo kërkohet. Asistenca jonë mund të ketë rishikim të draftit dhe ekspertizë në tryeza të rrumbullakta që mund të zhvillohen në Shqipëri”- tha ai.











