Kreu i misionit të ODIHR-it në Shqipëri për zgjedhjet e 8 majit, Jonathan Stonestreet, në një intervistë për gazetarin Muhamet Veliu në “Top Channel”, vlerëson eksperiencën e tij në këto zgjedhje.Ai shprehet i surprizuar kur ka parë seriozitetin e njerëzve për të ndjekur numërimin e votave në Njësinë Nr.5 në Tiranë. Stonestreet fajëson partitë politike që nuk kishin parashikuar në Kod se çfarë do të bëhej me fletët e votimit që mund të hidheshin gabimisht në kuti të tjera.
Cili është momenti më i veçantë që ju ka mbetur në mëndje gjatë qëndrimit në Shqipëri?
Ishte momenti kur vajta në Njësinë numër 5 në Tiranë kur po numëroheshin kutitë e fundit. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. E them këtë pozitivisht, pasi intensiteti që po ndiqte numërimi i çdo kutie, ishte diçka e veçantë, ndërkohë që qytetarët e tjerë të këtij vendi po e ndiqnin këtë proces nga ekranet e televizorëve. Për mua kjo ishte një eksperiencë të cilën nuk e kisha përjetuar më parë dhe ka për të mbetur në mendjen time përgjithmonë.
Le të ndalemi pak në procesin e numërimit në Tiranë, nga i cili është prodhuar një rezultat me një fitues, i cili ka dalë me 10 vota plus, por KQZ vendosi pa shumicën e anëtarëve të këtij komisioni të zhvillonte një rinumërim. A ju surprizoi një vendim i tillë?
Sapo rezultati paraprak, jo zyrtar, u mësua, e dija pasi kam parë gara të ngjashme me rezultat kaq të ngushtë siç ka ndodhur edhe në vendin tim apo vende të tjera, dhe çfarë do të ndodhte më pas do të ishte e debatueshme, ndërsa KQZ-ja do të vihen nën një vëzhgim të mprehtë përfshi presione. Kjo është pasoja e të pasurit një garë kaq të ngushtë. Çfarë ne kemi thënë në raportin e djeshëm ishte se ne kemi konsideruar çfarë KQZ po bën tani, ne thamë se baza ligjore mbetet e paqartë për misionin tonë, pasi vendimi përfundimtar që e sqaron këtë veprim mbase ishte marrë në baza principate, por vendimi final në dijeninë time nuk është publikuar në faqen zyrtare të KQZ-s. Disa prej çështjeve të ngritura, si për shembull vlefshmëria apo jo e fletëve të votimit që ngre problemin e fletëvotimeve të hedhura në kuti të gabuara, është një çështje e ngritur edhe në zgjedhjet e shkuara dhe ishte e njohur që përpara këtyre zgjedhjeve, por nuk i ishte adresuar KQZ-s nga anëtarët e KZAZ-ve, përfshi partitë politike që gëzojnë të drejtën e shprehjes së shqetësimit në KQZ. Asnjë nga partitë nuk e ngritën këtë çështje për të thënë si do të konsideroheshin të tilla vota. Për këtë partitë duhet të reflektojnë, pasi në këtë çështje ato kanë përgjegjësitë e tyre sikurse kanë të drejtë të kritikojnë njëra-tjetrën dhe institucionet, por është me rëndësi reflektimi i tyre.
Në raportin e djeshëm shkruhet se vendimi për hapjen e kutive në KQZ ishte i paqartë nga ana ligjore për OSBE-ODIHR. A i keni kërkuar KQZ informacionin e nevojshëm apo sqarime për këtë çështje?
Unë jam takuar me kryetarin dhe nënkryetarin e KQZ-s dhe kur ne shkruan se baza ligjore është e paqartë, e bëmë këtë pasi për të mbërritur në një arsyetim apo duke parë bazën ligjore në mendjen time, gjëja e parë që më vjen në mendje është të pasurit e një dokumenti që do të na sqaronte se kjo është baza ligjore dhe më pas njerëzit mund të thonë nëse kjo bazë ligjore është e justifikuar apo nuk është e justifikuar. Këtë gjë unë nuk e kam. Di që ka pasur një projekt-vendim, po kjo për mua nuk është e njëjtë me pasjen e një vendimi për këtë çështje. Nuk është çështja jonë të themi nëse kishte apo nuk kishte bazë ligjore për këtë çështje, janë institucionet si KQZ, është puna e tyre përfshi kolegjin zgjedhor, partitë dhe kandidatët. Janë institucionet shqiptare ato që duhet të thonë fjalën e tyre çfarë ndodhi për procesin e numërimit dhe më pas.
Pra, deri këtë moment që ne po flasim së bashku, OSBE-ODIHR nuk e ka një vendin të tillë?
Nga ajo që di, mund t’ju them se deri në momentin kur është shkruar raporti i fundit, deri më datë 18 maj, ne nuk e kemi vendimin përfundimtar të cilit mund t’i referoheshim dhe më pas të dinim bazat ligjore. Me çfarë kam dijeni, nuk ka një vendim final.











