Sulejman Starova është i gatshëm të ulet sërish në pankinën e Tiranës, por këtë herë ai vë kushte. Nuk ka më persona që i ndërhyjnë në formacion, si dhe vendos ai për merkaton e lojtarëve. “Mua nuk më ka marrë kush në telefon për këtë gjë, por nëse do të ndodhë që presidenti Halili do të më të telefonojë, atëherë do të ulem dhe të bisedoj për gjithçka para se të marr ose jo një angazhim të tillë. Nëse do të jem unë trajneri do të kërkoj që të më merret mendimi për merkaton, pasi do të jem unë që do të punoj me ata lojtarë. Së dyti duhet parë objektivi dhe gjithçka tjetër që lidhet me drejtimin e skuadrës për të mos pasur probleme gjatë sezonit. Gjithsesi, deri tani që po flasim nuk ka asgjë konkrete, pasi ende nuk kam folur me askënd tek Tirana”, ka pohuar Starova. Kujtojmë se tekniku ka qenë nën kontratë me Tiranën deri në fund të këtij sezoni dhe paguhej rreth 4 milionë lekë në muaj.











