S’pranohet arbitri Hoxha, ka tension te Flamurtari

Nov 18, 2011 | 9:32

Edvin Hoxha, gjyqtari i kontestuar nga vlonjatet

Caktohet lezhjani Edvin Hoxha, për të cilin vlonjatët bënë kërkesë që të evitohej. Çipi: E dinim dy javë para, ndaj kërkuam gjyqtar tjetër

Nga kampi vlonjat janë të pakënaqur për arbitrin e ndeshjes, pasi sipas tyre, prej më shumë se dy javës flitej për emrin arbitrit Edvin Hoxha dhe dje në mbrëmje është zyrtarizuar se do të jetë 33-vjeçari nga Lezha që do të arbitrojë këtë sfidë. Shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, e ka cilësuar si tendencioze zgjedhjen e Edvin Hoxhës, duke i argumentuar pakënaqësitë dhe dyshimet e tij me disa fakte. “Prej më se dy javësh kishim dëgjuar të flitej për emrin e Edvin Hoxhës si arbitër kryesor i ndeshjes mes nesh dhe korçarëve. Duke parë se sa shumë e ka gjykuar muajt e fundit ai Skënderbeun dhe duke parë gjithashtu edhe faktin që ishte përfolur si emër, shumë ditë para ndeshjes na u ngjallën dyshime. Për këtë motiv, tri ditë më parë i kemi bërë kërkesë zyrtare federatës që vetëm ky arbitër të mos e drejtonte këtë ndeshje. Kërkesa është e protokolluar dhe aty kemi saktësuar se ndeshjen mund ta drejtojë cilido gjyqtar tjetër, por jo Hoxha. Mirëpo, ndodhi pikërisht e kundërta, sot pasdite (dje) kemi marrë vesh së do të jetë Hoxha arbitri kryesor. Kjo është jashtë logjike dhe fare e papranueshme. Tendencioze sa nuk ka ku të vejë më dhe ne nuk dimë se çfarë të bëjmë në të tilla kushte. Marrim sekretarin e federatës dhe ai ka fikur telefonin. Kemi telefonuar shefave të dhomës së arbitrave, por aty në driblojnë, duke na thënë se është çështje sistemi dhe se Hoxha është përz-gjedhur në bazë të sistemit. Kjo nuk shkon hiç fare dhe nuk bën gjë tjetër veçse na ngjallin dyshime dhe nervozizëm ende pa u luajtur ndeshja. Nuk mund të luhet kështu me qindra miliona investime”, ka thënë Geri Çipi për “Panorama Sport”. Përgjegjësi i sektorit të arbitrave, Tahir Kastrati, pati deklaruar se do të përpiqej që në ndeshjet e rretheve të çonte arbitra nga Tirana dhe anasjelltas. Në fakt, në këtë rast nuk është se e ka zbatuar këtë qëndrim. Përkundrazi, nuk e ka parë të arsyeshme që në këtë ndeshje të vendosë një arbitër ndërkombëtar, duke parë rëndësinë e ndeshjes, por edhe të kaluarën mes këtyre dy skuadrave. Kujtojmë se 33-vjeçari Edvin Hoxha ka debutuar si gjyqtar në Superiore në sezonin 2009-2010. U akuzua për favorizim të hapur të Bylisit në ndeshjen e javës së 3-të ndaj Kamzës. Dha penallti të dyshimtë dhe gol i Bylisit pretendohej se ishte në pozicion jashtë loje. Vetëm dy javë pas kësaj ndeshjeje, Hoxha gjykoi Skënderbeun pikërisht kundër Kamzës në Korçë.

NDESHJET E HOXHËS TE SKËNDERBEU GJATË 2011
Java 27
Skënderbeu-Shkumbini        2-0
Gjyqtarë: Edvin Hoxha/ R.Çokaj dhe G.Koka
Java 30
Tirana-Skënderbeu        0-0
Gjyqtarë: Edvin Hoxha/ G.Koka dhe R.Çokaj
Java 1
Skënderbeu-Tomori        0-0
Gjyqtarë: Edvin Hoxha/ G.Koka dhe F.Elezi
Java 5
Skënderbeu-Kamza        0-0
Gjyqtarë: Edvin Hoxha/ M.Dervishi
dhe D.Salaj

 

© Panorama.al

Te lidhura