Spitalet, ja shtesat në pagë për 11.888 punonjës

Sep 15, 2011 | 11:35

Detajohen shtesat në pagë për 11 888 mjekë e infermierë që punojnë në spitale.Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor zbardh vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e miratuar për 2011-n. Efektet financiare nisin që nga data 15 korrik. “Këshilli Administrativ i ISKSH-së ka miratuar sot (e mërkurë) rritjen e pagave për mjekët e spitaleve, të cilat arrijnë deri në 15% rritje page në QSUT, duke u bazuar në përparësitë e përcaktuara nga qeveria. Rritja e pagave nis që prej 15 korrikut 2011 dhe efektet financiare mbulohen nga ISKSH”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Ajo shtoi se efektet financiare mujore arrijnë në rreth 25 milionë lekë ose deri në fund të vitit 2011 arrijnë shumën 115 milionë lekë. Kështu, për personelin e QSUT-së, Maternitetit Nr. 1, Nr. 2 dhe Sanatoriumit, rritja varion nga 2.7% deri në 15%. “Për shefat e shërbimeve, rritja është 15% ose, në vlerë absolute 12 000 lekë në muaj, duke shkuar në rreth 830 mijë lekë për mjekët me vjetërsi pune 25 vjet”, sqarojnë specialistët. Për shefat e reparteve, rritja është 10.6%-11.3% ose, në vlerë absolute, 7600 lekë në muaj. Për mjekët, rritja është 10.5% deri në 11.2% ose, në vlerë absolute, 6500 lekë në muaj. Ndërkaq, për kryeinfermierët, rritja është 2.9% deri në 3.1% ose, në vlerë absolute, 1500 lekë në muaj. “Për infermierët, rritja është 2.7% – 3.2% ose, në vlerë absolute, 1100 deri 1150 lekë në muaj. Për pjesën tjetër të personelit, deri 4-5% ose rreth 1100 – 1400 lekë në muaj”, sqarojnë specialistët. Ndërkaq, për personelin e spitaleve të tjera, shefat e shërbimeve  do të përfitojnë 5.51%-5.85% ose, në vlerë absolute, 3750 lekë në muaj. Për shefat e reparteve, rritja është 5.61%-6.15% ose, në vlerë absolute, 3200 lekë në muaj. Për mjeket, rritja është 5.61% – 6.15% ose, në vlerë absolute, 3200 lekë në muaj. Për kryeinfermierët, rritja është 2.44%-2.94% ose, në vlerë absolute, 1100 deri 1500 lekë në muaj. Infermierët do të përfitojnë shtesë në 2.42% – 2.91% ose, në vlerë absolute 1100-1150 lekë në muaj. Për personelin tjetër, shtesa do të jetë deri në 5% ose rreth 1100-1400 lekë në muaj.

Per te pare tabelat e pagave atehere klikoni mbi: PDF

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura