Barcelona ka fituar mbrëmë me shumë vështirësi, në fushën e vet ndaj Betis Sevilje. U duk sikur ky takim nuk do kishte shumë histori, pasi që në minutën e 10-të Ksavi kaloi Barçën në avantazh. Madje dy minuta më vonë ishte Lionel Mesi që dyfishoi. Më pas, miqtë nga Sevilja shkurtuan diferencën në minutën e 31-të me anë të Martin. Në pjesën e dytë erdhi goli i barazimit të përkohshëm me anë të Kruz. Por ndërsa Barcelona shtoi sulmet, në minutën e 75-të Sançez shënoi edhe golin e avantazhit. Duhet thënë se nga minuta e 70-të Betis luajti me 10 lojtarë, për shkak të daljes me karton të kuq të një lojtari. Në takimet e tjera të luajtura ditën e djeshme në kampionatin spanjoll, ra në sy fitorja e bukur 3-0 e Atletiko Madrid ndaj Vilarealit. Është sërish Falkao ai që shënon dy gola, ndërsa të tretin e realizoi Diego. Sakaq, humbje në fushën e vet sigloi Osasuna, e cila iu dorëzua 0-2 Santanderit, ndërsa Atletik Bilbao fitoi 3-0 ndaj Levantes. Një trepikësh të rëndësishëm për mbijetesën mori dje edhe Sporting Gijon 2-1 ndaj Malagas.











