Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur për herë të parë në gjykatë mënyrën se si hetuesit arritën të identifikojnë personat që qëndronin pas kodeve të përdorura në platformën e enkriptuar Sky ECC, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe.
Të dy akuzohen se kanë pasur rol në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja (tashmë deputet) dhe Aleksandër Laho ose siç njihet ndryshe Rrumi i Shijakut.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, gjatë seancës gjyqësore prokurorët shpjeguan se identifikimi i përdoruesve është realizuar përmes analizës së bisedave në aplikacion, fotografive të shkëmbyera dhe të dhënave personale që vetë përdoruesit kanë dërguar gjatë komunikimeve.
Si u identifikua Plaurent Dervishaj
Sipas SPAK, në disa raste përdoruesit e aplikacionit kanë përdorur pseudonime që lidhen me emrat e tyre realë. Në raste të tjera, identifikimi është bërë falë informacioneve personale që ata kanë ndarë gjatë bisedave.
Për Plaurent Dervishaj, hetuesit kanë zbuluar një fotografi të dërguar në komunikime, ku kërkohej mbyllja e një adrese emaili. Në të njëjtat biseda janë përfshirë edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre. Pas verifikimeve, këto informacione kanë rezultuar se përputhen me të dhënat e Dervishajt.
Identifikimi i Julian Meçes
Një procedurë e ngjashme është ndjekur edhe për identifikimin e Julian Meçe. Në komunikimet e analizuar janë gjetur fotografi dhe informacione të ndryshme që kanë ndihmuar hetuesit të lidhin profilin e përdorur në aplikacion me identitetin e tij real.
Prokuroria theksoi gjithashtu se në disa raste përdoruesit janë vetëidentifikuar gjatë bisedave, duke dhënë të dhëna që i çonin drejtpërdrejt tek identiteti i tyre.
Gjurmimi përmes numrit të avokatit
Një tjetër rast identifikimi lidhet me numrin e telefonit të avokatit të Redjan Rraja. Në një nga komunikimet është dërguar një fotografi ku shfaqej ky numër telefoni. Pas verifikimeve të kryera, hetuesit kanë gjetur një memo të përgatitur nga avokati në fjalë, element që sipas SPAK ka ndihmuar në identifikimin e Ramazan Rraja.
Detajet u bënë publike gjatë procesit gjyqësor, ku SPAK po paraqet provat e mbledhura në kuadër të hetimit për atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja.
© Panorama.al












