SPAK tha se Olsi Rama nuk është i përfshirë në dosjen “Xibraka”, reagon Gazment Bardhi

Jan 10, 2025 | 21:32
SHPËRNDAJE

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratën e SPAK, që tha se Olsi Rama nuk është i përfshirë në dosjen kriminale të Xibrakës. Me anë të një videomesazhi në Instagram, Bardhi thotë se nuk e kupton deklaratën e SPAK, e cila sipas tij nuk është e qartë nëse ka pezulluar hetimet apo ka përfunduar hetimet.

bardhi

Sipas Bardhit, prokurorët e SPAK për shkak të presionit dhe ndërhyrjes dhe intimidimit detyrohen të kthehen në qesharak.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD tha se Prokuroria nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zbuluar të vërtetën.

“Njoftimi se njëri nuk është, por nuk e dimë kush janë është fiks logjika që përdori para 10 vitesh policia e shtetit, duke na thënë se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete 45 vjeç, por nuk i gjente dot emrin. I kuptoj prokurorët e SPAK sepse ndihen të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës.

E kam patur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin e pandëshkueshëm për shkak të pushtetit të të vëllait. Por prokuroria kishte shansin të na provonte se ishte e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë dhe të paanshëm”, tha Bardhi.

LEXO EDHE: Dosja “Xibraka”/ SPAK mbyll hetimet: Nuk ka asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës

Bardhi u ndal në një moment, qe ai e quajti fakt, kur në seancën e 4 prillit ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla deklaroi ne Kuvend se e njeh personion e moshes 45 vjeç, por qe nuk ka lidhje me PS.

“Pyetja ime për prokurorin Shehu është: A e ka thirrur Taulant Ballën, për ta pyetur, për informacionin si ministër i brendshëm, i përcolli, Kuvendit të Shqipërisë, që e njihte personin e moshës 45 vjeç, dhe se nuk kishte asnjë lidhje me PS apo Edi Ramën, por kishte lidhje me PD?

Mjafton vetëm ky fakt, vetëm ky, për të treguar që nuk ka patur asnjë hetim. Nuk ka patur asnjë veprim hetimor konkret për të zbardhur të vërtetën. Ka pasur vetëm një tentativë, për të bërë shqiptarët për budallenj, sikur po hetohet, dhe për të dalë sot me atë njoftim qesharak.

Gjithsesi, duke ripërsëritur qëndrimin tim, se i kuptoj që janë të pafuqishëm, kam vetëm një lutje, na kurseni të bërit qesharak. Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë deri në qëndrime apo njoftime të tilla, që në 5 rreshta të shkruara, fjalinë e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë. Apo, ajo që thuhet në fjalinë e parë, të jetë e ndryshme me atë që thuhet në fjalinë e pestë. Apo, qëndrime të tipit ne nuk e dimë kush është, por betohemi përpara Edi Ramës se Olsi Rama, nuk është.

Kaq për sonte, sepse sigurisht as nuk dekurajohemi, kësaj çështje do i shkojmë deri në fund, e vërteta, siç doli në rastin kur prokurori Shehu gënjeu për ngjarjen e Elbasanit, do triumfojë, edhe pse do të marrë pak kohë“, perfundoi Bardhi.

DEKLARATA E SPAK

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhet se nga hetimet ka rezultuar se ‘nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal‘, për të cilin janë dënuar më parë disa individë.

Gjithashtu, SPAK thotë se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.

Po ashtu SPAK thote se është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar.

“Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve”- sqaron SPAK.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.

Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.

Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura