“Aferë e padëgjuar më parë”- Denoncimi i PD, Berisha: Licenca e kazinosë në kullën e ‘Air Albania’ u dha në shkelje të ligjit për prestanomen e Olsi Ramës

Jul 28, 2026 | 12:19

Partia Demokratike ka bërë një denoncim, sipas të cilës qeveria ka dhënë leje për një kazino në kullën e stadiumit “Air Albania”.

sali berisha ok

Në një dalje për mediat Sali Berisha thotë se kjo është një nga aferat, që i kalon çdo lloj imagjinate.

Sipas Sali Berishës  licenca për kazino i është dhënë “me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës”.

“Sot jemi këtu për të paraqitur para medieve dhe opinionit publik shqiptar një nga aferat më të padëgjuara, afera që tejkalojnë çdo lloj imagjinate. Por natyrisht jo në narkoshtetin e Edi Ramës, në familjarët e tij, bëmat e tyre. Tashmë janë bërë të njohura për publikun pasioni i çmendur i Olsi Ramës për lojërat e fatit. Pasioni i tij i çmendur për call-centerat. Pra për ët gjitha mënyrat e plaçkitjes së qytetarëve. I pangopur!

E vërteta është siç e kam deklaruar dhe siç është faktuar lidhja e tij me grupin e Xibrakës, është një ndër lidhjet më kriminale që mund të ketë njeri. Sot këtu ju do dëgjoni, edhe njëherë kthehet në skenë ajo që dikur unë e kam quajtur kulla Kristaq Rama apo kulla e Air Albania.

Në atë kohë ne e kemi denoncuar ndërtimin e saj, por siç thotë populli, dardha e ka bishtin mbrapa. Aq sa është e paligjshme kulla, po aq e paligjshme është aktiviteti i saj dhe dhënia e licencës për kazino me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës”, tha Sali Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura