Gazetarja Klodiana Lala tha se nëse nga ekspertimi i celularëve të sekuestruar do të gjenden elementët penalë dhe provat që besojnë se do të jenë aty sipas dyshimeve, atëherë ish-zv/kryeministrja e shkarkuar dhe pezulluar, e pandehura Belinda Balluku rrezikon t’i hapen çështje të tjera.
Ajo shpjegoi se janë ushtruar kontrolle në banesën e saj, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe 15 biznesmenëve.
“GJKKO ka marrë një vendim sa i përket fshehtësisë së korrespondencës nisur nga një rast tjetër, dhe i ka vënë SPAK disa piketa për hetimet që ka në duar. Në kuadër të kontrolleve të kryera në dhjetor të 2025 dhe janar 2026, pasi iu sekuestruan shumë celularë në banesat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, në shtëpitë e disa biznesmenëve. Në kërkesën që është bërë në gjykatë, SPAK dhe GJKKO thotë; kemi dyshime të arsyeshme që biznesmenët, janë mbi 15 biznesmenë, që kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe me zyrtarë dhe ish-zyrtarë për të paracaktuar tendera. Janë disa celularë”, tha gazetarja për emisionin “Kjo javë” në “News 24”, gjatë shpjegimit që bëri për hetimet e deritanishme të çështjes, që i përkasin fashikullit të ri ndaj Ballukut.
Më tej ajo tha se janë lënë detyra për këtë hetim dhe nëse do gjenden prova me rëndësi, atëherë do shkohet më tej në hapjen e dosjeve të reja dhe shtimin e akuzave përkatëse ndaj Ballukut dhe të tjerëve.
“Ka dy vendime, ai i 19 marsit, ku është dhënë leja për këqyrjen e celularëve, të zyrtarëve dhe njerëzve të besuar të saj, pasi provat që mund të gjenden aty mund të përdoren për prova të reja, po ashtu do të përdoren në procesin hetimor ndaj zonjës Balluku. Dhe pjesa tjetër është grupi i biznesmenëve, që thuhet se kanë ndikuar në paracaktimin e tenderave. Kur ka dyshime për një krim, sado i kujdesshëm të jetë një person, ka gjithmonë një gjurmë. Janë kontrolluar dhe librat në bibliotekë”, tha Lala.
Por çfarë ndodh nëse në celularë do të gjenden prova konkrete?
“GJKKO e ka kufizuar, pasi ka thënë se kontrollet duhet të bëhen për rastin konkret. GJKKO e ka pranuar në tërësi kërkesën e SPAK. Ekziston mundësia që nëse gjenden prova të reja, të hapen çështje të tjera penale, për fakte të reja. Fakti që janë pyetur të gjithë personat në dijeni apo hetim, mund t’i shërbejë hetimit në tërësi”, tha Lala.
Duke u ndalur te rasti i Evis Berberit, Lala tha se:
“Gjykata Kushtetuese tha se ka vendosur që të lërë pa ndryshuar, në fuqi tre vendimet e gjykatave, për lënie në fuqi të masës ‘arrest me burg’ për Berberin. Zoti Berberi, përmes avokatit të tij, kishte përdorur një mekanizëm të fshehtë për të afektuar çështjen e tij me të zonjës Balluku. Ai kërkonte rikthimin e celularëve të tij. Gjatë kontrollit iu gjetën disa celularë, që ai pretendonte se ishin veprime të paligjshme. Gjykata Kushtetuese nuk e mori fare në konsideratë këtë çështje. E vetmja mundësi që të shqyrtohej kjo çështje nga Kushtetuesja, duhej të kishte një vendimmarrje”.
© Panorama.al












