SPAK goditi këtë të premte një nga organizatat me të mëdha kriminale dhe firmosi urdhër arreste për disa prej narkotrafikantëve me të njohur në vend dhe po ashtu biznesmenë që kanë fituar tendera miliona euro, ndërsa kanë ndërtuar kulla e resorte luksoze në jug të vendit. Me firmën e Altin Dumanit dhe Elida Kackinit, u firmosën në total 15 urdhra arrest me burg, ndërsa 5 të tjerë në arrest shtëpie, për veprat penale të trafikut të kokainës, pastrimit të parave në vlera miliona euro, si dhe organizatës kriminale.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se në mesin e të dyshuarve është Artur Shehu, personazhi kontrovers që po hetohet edhe për skemën e tjetërsimit të pronave në Zvërnec, ku do të investonte për ndërtimin e një resorti luksoz Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Shehu nuk është arrestuar, pasi jeton prej afro 3 dekadash në SHBA. Në kërkim është shpallur Artur alias Luçiano Koçeku që drejton një grup ndërkombëtarë trafiku droge bashkë me vëllezërit e tij. Koçeku prej vitesh ka bazën në Dubai. Grupi trafikonte kokainë nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Surinam, Paraguai, Uruguai, Porto-Riko e Brazil drejt Europës. Paratë që fitoheshin nga shitja e kokainës në vende të ndryshme të Europës, pastroheshin në Shqipëri. Për dyshimet për pastrim parash është firmosur masë arresti për Ilir Shtufin, që ishte njeriu i Koçekëve dhe investonte në ndërtim, ndërsa u arrestua biznesmeni Orest Sota.
Një tjetër grupim drejtohej nga Renato Hamzai, lidhje e Artur Shehut, i pranishëm në takimin e shumëpërfolur të Arubës, ku bosët e krimit u bënë bashkë dhe biseduan për çështje kriminale. Shehu pastronte para përmes vëllezërve Erion e Adrian Rama, nipat e Fatmir Ramës i njohur si Miri i Xhikes, i ekzekutuar në 9 mars 2003 në kompleksin luksoz Kartodromi, si dhe Leonard Bishajtr i njohur si Coco. Orgest Bircaj, pronari i kompanisë Top Seven përfundoi në pranga. Ai e përdorte kompaninë për trafikun e drogës. Në kuadër të të njëjtin aksioni është dërguar në arrest shtëpie Edmond Jaupi. SPAK sekuestroi miliona euro pasuri të Kocekëve, vëllezërve Rama, si dhe Ilir Shtufit apo personave të bashkëlidhur me të. Anëtarët e organizatës kriminale kishin investuar në ndërtimin e resorteve luksoze në jug të vendit. Ndërsa kishin fituar leje ndërtimi për resorte të reja.
EMRAT E 20 TE AKUZUARVE:
Artur Shehu
Ilir Shtufi
Ardian Zykaj
Alfredo Hamzai
Luciano Koçeku alias Artur Koçeku
Dino alias Abedin Koçeku
Ervin Koçeku
Adrian Rama
Erjon Rama
Orgest Birçaj
Elton Memeti
Leonard Bishaj
Arben Ismaili
Edmond Jaupi
Orest Sota
Besnik Myftari
Dritan Aga
Astrit Vladi
Kastriot Vladi
Gezim Islami












