TIRANË- Në kuadër të nismës më të re të deklaruar, “Një komb, një pasaportë”, Aleanca KuqeZi ka zhvilluar sot një forum me intelektualë të shquar nga të gjithë trevat shqiptare.
Në të u bë me dije se AK do të ndërmarrë një aksion të ri popullor për tju mundësuar shqiptarëve kudo që ndodhen të drejtën për tu pajisur me një pashaportë shqiptare. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka deklaruar gjatë takimit se do të kërkohet ndryshimi i ligjit “Për Shtetësinë”.
“Në kërkojmë votimin me 84 vota, 3/5 e votave në Kuvendin e Shqipërisë për ndryshimin e dispozitës ligjore në nenin 9, paragrafi i fundit të ligjit “Për Shtetësine” ku të hiqet kërkesa e 3 vjet vendbanim në Shqipëri për tu pajisur me pashaportë” – theksoi Kreshnik Spahiu, zv/kryetari i KLD në mbështetje të Aleancës KuqeZi.
Ai ka garantuar se do të mbështesë këtë debat të vështirë por të nevojshëm juridik për të ardhmen e kombit tonë.
“Eshtë hera e parë që qytetarët shqiptarët nga të gjitha trevat kërkojnë të bëhen pjesë e një vendimmarrje ligjore, politike e kombëtare. Ky është një moment i rëndësishëm për infrastrukturën ligjore të regjistrimit të popullsisë, që ndodhet tashmë në vijimësi të axhendës së Kuvendit të Shqipërisë dhe dhjetra mijëra shqiptarë që kanë firmosur peticionin e AK janë në pritje të një procesi të rregullt e legjislativ për këtë projektligj”- tha ai.
© Panorama.al











