Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia tha nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme se reforma në drejtësi solli ndërhyrjen e politikës në të dhe Vettingu krijoi boshlliqe dhe problematika që janë të dukshme.
Sipas ish-kryebashkiakut të Shkodrës, shqiptarët duhet të presin me vite për të marrë drejtësi në dyert ë gjykatave dhe prokurorive.
“Ndërkohë që ne përpiqemi që të krijojmë një drejtësi të pavarur, ndërhyrja e politikës vijon të jetë në një masë të konsiderueshme, aq sa cenohet hapur drejtësia për qytetarët. Edhe pse është caktuar buxhet për sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve, fillimi i plotë i tij parashikohet vetëm në vitin 2030. Pra, a mund të presë qytetari i thjeshtë edhe 5 vite për një proces të drejtë dhe transparent”, tha ai.
Ai solli edhe disa shifra për të pranishmit në sallën e Kuvendit, duke vënë në dukje mbingarkesën në sistem të dosjeve, stokun dhe zvarritjen e çështjeve.
“Me vetëm 26 gjyqtarë janë shqyrtuar 9850 çështje në një vit. Një ngarkesë e tejskajshme që tregon përpjekjen maksimale të trupës gjyqësore, edhe për pamundësinë për të dhënë drejtësi në kohë. Edhe Harta e re Gjyqësore nuk e ka zgjidhur problemin, përkundrazi ka sjellë ngarkesë, kufizim të aksesit në drejtësi”, u shpreh ligjvënësi demokrat.
Në fund ai kritikoi edhe procesin e Vettingut, duke e cilësuar një rezultat të dështuar, ku problematikat janë të dukshme, edhe pse u premtua reformim rrënjësor.
“Procesi i vettingut, megjithëse është një reformë e nevojshme, ka krijuar një boshllëk të madh në gjykata dhe prokurori. Duke cenuar drejtpërdrejtë efikasitetin e sistemit dhe në disa raste të drejtat themelore të njeriut”, përfundoi Spahia.
© Panorama.al












