Maqedonia dhe Serbia rrezikojnë t’u rivendoset sërish regjimi i vizave në zonën Schengen për shkak të kërkesave në shtim për azil politik nga shtetas të këtyre vendeve.Sot, më 24 maj, Komisioni Europian do të propozojë për miratim draft-tekste, disa nga të cilat shënjestrojnë direkt qytetarët e Serbisë dhe Maqedonisë. Këta qytetarë përfituan nga heqja e regjimit të vizave më 21 dhjetor 2009. Gjatë 12 muajsh, 17 000 njerëz nga Serbia kanë kërkuar azil në BE, kryesisht në Suedi, Belgjikë dhe Gjermani. Rreth 95 për qind e tyre janë romë, 5 për qind janë kryesisht shqiptarë të varfër të Preshevës dhe Bujanovcit, në jug të Serbisë. Autoritetet belge i kanë dërguar një letër Komisionit Europian, i cili ka paralajmëruar se do të kërkojë anulimin e heqjes së vizave për Serbinë. E trembur nga kjo masë, qeveria serbe ka paralajmëruar se do të miratojë një legjislacion të ri, i cili do të ashpërsojë marrjen e pasaportave dhe udhëtimin jashtë vendit, por kjo ka rritur zërat për diskriminim. “Ne nuk duhet të aplikojmë terma më të ashpër udhëtimi për romët apo shqiptarët e varfër të Jugut në krahasim me nacionalitetet dhe qytetarët e tjerë”, tha Marko Karaxhiç, ish-zyrtar në Ministrinë serbe të Drejtësisë. Por ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, tha se Serbia do të punojë më shumë me minoritetin rom. Edhe Maqedonia ka marrë masat e saj pas paralajmërimit nga BE-ja. Për të ndëshkuar penalisht personat që keqpërdorin liberalizimin, ky vend ka nisur ndryshimin e Kodit Penal. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se janë ashpërsuar edhe masat ndaj agjencive turistike, të cilat janë të përfshira në transportin e udhëtarëve drejt vendeve të BE-së. Komisioni e theksoi idenë e rivendosjes së vizave në komunikatën mbi migracionin më 4 maj. Pritet të propozohet futja e një “klauzole” në rregulloren e vizave të vitit 2001, që do të lejojë nën disa kushte të caktuara rivendosjen e përkohshme të obligimit të vizave për qytetarët e vendeve jashtë BE-së. Komisionerja e imigrimit, Sesilia Malmstrom, ka ndërhyrë e irrituar nga amullia e autoriteteve serbe dhe ka vendosur të propozojë një sanksion të kërkuar nga shumica e vendeve anëtare. Malmstrom përmendi “rastet kur heqja e vizave do të rriste imigracionin ilegal në shkallë të lartë, abuzimin ose do të rrezikonte sigurinë”. Propozimi do t’u paraqitet ministrave të Çështjeve të Brendshme të BE-së për aprovim në takimin e tyre të 9-10 qershorit, në Luksemburg.
Ashton të premten në Kosovë
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Katerin Ashton këtë javë angazhohet personalisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke vizituar të dyja këto vende. Të premten ajo do të qëndrojë në Prishtinë për t’u takuar me kryeministrin Hashim Thaçi. Të enjten ajo do të jetë në Beograd për të zhvilluar një takim me presidentin serb, Boris Tadiç. Gjatë kësaj vizite, shefen e diplomacisë së Bashkimit Europian do ta shoqërojë këshilltari i saj politik, Robert Kuper, të cilin ajo e ka caktuar të lehtësojë bisedimet. Marrëveshja e parë në dialogun për çështje teknike mes Serbisë dhe Kosovës pritet të arrihet para vizitës së Baroneshës, ka paralajmëruar Edita Tahiti, kryetare e ekipit të Kosovës për bisedimet. Sipas “Express”, marrëveshja për Lëvizje të lirë të qytetarëve mes dy shteteve do të arrihet në fillim të kësaj jave. Qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të hyjnë në territorin serb me dokumente të Republikës së Kosovës.











