Në Korçë pritet me ankth festa e madhe e titullit. Drejtuesit e klubit kanë konfirmuar se në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme do të startojnë festimet. Ndryshe nga çdo herë tjetër, këtë vit trofeu i titullit kampion do të jetë më i vlefshëm nga ana monetare. Përmbajtja do të jetë prej floriri dhe do të peshojë rreth 3.5 kilogram, me një vlerë prej rreth 100 milionë lekësh, ose e thënë ndryshe 60 mijë euro. Kjo është një risi nga ana e Federatës, për sa i përket kampionatit shqiptar të futbollit, dhe për herë të parë do të ketë shansin që ta ngrejë Skënderbeu, që është edhe skuadra që renditet në vendin e parë. Ndërsa medaljet që do t’i shpërndahen çdo futbollisti të ekipit kampion (këtë sezon konkretisht të Skënderbeut), në ndeshjen përmbyllëse të këtij sezoni do të kenë edhe ato një vlerë, ku do të kushtojnë diku tek 1 mijë euro dhe do të jenë pronë e lojtarëve.
Shkëmbi: Unë ngre Kupën, Çipi të pastrojë stadiumin
“Kapiteni i Skënderbeut do të ngrejë Kupën, ndërsa Çipi do të pastrojë stadiumin e Vlorës”. Kështu e ka përmbledhur në një batutë Bledi Shkëmbi atë çfarë është duke përjetuar pas akuzave që vijnë në adresë të tij nga shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi. “Duhet t’i them Çipit se unë do të ngre Kupën dhe do të festoj, madje shumë, kurse ai është mirë të marrë fshesën dhe të nisë të pastrojë stadiumin e shkatërruar të Vlorës, bashkë me tifozët. Ky është ndryshimi i kapitenit plak të Korçës dhe drejtuesve të Vlorës. Mirë është që Flamurtari të shtrëngojë rripat për sezonin tjetër, që të mos i ndodhë më si në këtë sezon që humbi shumë në shumë drejtime”, – ka theksuar kapiteni bardhekuq. Teksa ka kaluar një të hënë të vështirë, Shkëmbi ka vendosur të pushojë totalisht, por duke pasur padurimin e trofeut të parë që do të ngrejë në jetën e tij, pikërisht në stadiumin e vendlindjes.











