Sot 27 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Serbi, presidenti Begaj: Fushatë që solli lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në rajon! Mirënjohje SHBA dhe Aleancës

Mar 24, 2026 | 10:33

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Serbi kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, duke theksuar se kjo fushatë solli lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në rajon.

bajram Begaj

Në një postim në  X, Presidenti thekson se Shqipëria mbetet mirënjohëse përgjithmonë ndaj SHBA dhe Aleancës euroatlantike.

“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit shtypës të Millosheviçit—një fushatë që përfundoi me sukses, duke sjellë lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në të gjithë rajonin sot. Shqipëria mbetet, sot dhe gjithmonë, thellësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s”, shkruan Presidenti.

Postimi i Presidentit Begaj
Postimi i Presidentit Begaj

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviç për një armëpushim. Më pas, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili i autorizoi sulmet ajrore.

Kjo fushatë përbënte herën e parë që NATO-ja e përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

© Panorama.al

Te lidhura