Baftjar Zeqaj konfirmon fitoren në Bashkinë e Fierit. Për të tretën herë radhazi ky qytet do të drejtohet nga socialisti, i cili fitoi shumicën e votave në 83 kutitë e qytetit.Zeqaj ka lënë pas kandidatin e PS-së, Ilir Bele, ndërsa ka qenë gjatë gjithë kohës në avantazh ndaj tij. Ndërsa në sallë po numëroheshin votat e fundit të kutisë përfundimtare, festa kishte nisur në qendër të qytetit të Fierit. Vetë kandidati fitues, njëkohësisht kryebashkiaku aktual, Baftjar Zeqaj, nuk ka qenë i pranishëm gjatë çasteve të numërimit në sallë, duke pritur të shfaqet vetëm në shpalljen përfundimtare të fitores së tij. Diferenca mes votave të tij dhe Beles ishte rreth 4 mijë vota, akoma pa u hapur kutia e fundit, çka e bënte të sigurt fitoren, edhe sikur në të të ndodheshin vetëm vota pro Beles.
Procesi i votimit ishte ndërprerë në orët e para të mëngjesit dhe është rihapur rreth orës 11:00. Sipas nënkryetarit të KZAZ-së Nr. 18, Aleksandër Shanaj, nuk ka pasur konflikte dhe incidente. Ndërprerjet janë bërë për sqarime teknike dhe për shkak të lodhjeve dhe ndërrimit të grupeve të numëruesve. Edhe kryetari dhe nënkryetari i kësaj KZAZ-je kanë pohuar se procesi i numërimit të votave për këtë KZAZ pritet të përfundojë në orët e vona të mbrëmjes. Sipas Shanajt, ndërprerja e punës është shkaktuar për hir të lodhjes gjatë orëve të gjata të numërimit. Ndonëse nuk ishte surprizë, pasi ka qenë gjithë kohën në avantazh, Bashkinë e Patosit e ka fituar kandidatja e Partisë Socialiste, Rajmonda Balilaj. Pas një maratone të gjatë në numërimin e votave në qendrën e numërimit të tyre në KZAZ-në me numër 19 shpallen rezultatet për Bashkinë Patos. Me rreth 965 vota diferencë në garën për Bashkinë e qytetit naftëtar, është shpallur fituese kandidatja dhe tashmë kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj. Rivali në këtë garë, Dilaver Kamberaj, i Aleancës për Qytetarin, ka marrë, pas hapjes së 26 qendrave të votimit, 4344 vota, kundrejt 5300 votave të kandidates Balilaj. Rezultati i shpalljes së fituesit për Bashkinë Patos ka dalë rreth orës 08:00 të së martës, nga Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve, e vendosur në ambientet e Pallatit të Kulturës së këtij qyteti. “Është për t’u theksuar se për herë të parë në historinë e këtij qyteti dhe të zgjedhjeve të zhvilluara në këtë qytet, jo vetëm gjatë 20 viteve të demokracisë, por edhe me parë, do të jetë një grua drejtuesja dhe administratorja e Bashkisë Patos. Kreu i PS-së në Patos, Artan Velçani, pas shpalljes së rezultatit të numërimit të votave që ka nxjerrë fituese Rajmonda Balilajn, është shprehur se kjo fitore është fitore e këtij komuniteti dhe e përpjekjeve disavjeçare të Partisë Socialiste në Patos. Pas këtij rezultati, Komisioni i Administrimit të Zgjedhjeve dhe grupet e numërimit janë larguar duke pezulluar procesin e numërimit të votave, me arsyen e lodhjes gjatë këtij procesi dhe rikthimin pasdite për të vazhduar numërimin e kutive të votimit për komunën Portëz. Pritet gjithashtu edhe shpallja e rezultatit për përbërjen e re të kandidatëve të Këshillit Bashkiak të Patosit. Ndërkohë, komuna Portëz ka 11 qendra votimi. Pas kësaj, numërimi i votave do të kryhet sipas njësive vendore me numrin më të madh të zgjedhësve dhe respektivisht, pas komunës Portëz do të numërohen votat e bashkisë Roskovec dhe me radhë komuna Kuman, Zharrëz, Strum, Kurjan dhe Ruzhdie. KZAZ me numër 19 në Patos administron procesin për 8 njësi vendore, me afro 62 mijë zgjedhës. Pjesëmarrja në këto votime vendore të 8 majit shkonte në gati 36% dhe shënon një marzh më të ulët se zgjedhjet e mëparshme.
Debate në KZAZ për një fletë votimi
Problemet në 2 monitorët e KZAZ-së Nr. 20, ku bëhet numërimi i votave për 8 komuna të Fierit, u bë objekt debati në mesditë mes anëtarëve të numërimit të votave dhe vëzhguesve të forcave të ndryshme politike. Paqartësia e një vëzhguesi për një fletë votimi ka sjellë konflikt të komisionerëve të PD-së dhe vëzhguesve të forcave të ndryshme dhe atyre të majtë. Debatet mes numëruesve kanë tërhequr vëmendjen mes të gjitha grupeve të numërimit dhe vëzhguesve. Si pasojë, është ndërprerë procesi i numërimit rreth një orë dhe vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it i regjistruan këto parregullsi.
Fier
Bashkia Patos
Rajmonda Balilaj, PS 5300 vota
Dilaver Kamberaj, 4344 vota
Bashkia Ballsh
Fiton kandidati i PS-së, Ilirjan Çela, me 3997 vota kundrejt kandidates së djathtë, Dallëndyshe Allkaj, me 3816 vota
Komuna Levan
Fiton kandidati i majtë, Xheladin Malo, me 815 vota më shumë kundrejt votave të siguruara nga ana e të djathtit Agim Qejvani
Komuna Cakran
Fitues është kandidati i PD, Vladimir Korçari
FIER/ Majlinda Rama
© Panorama.al











