Skënderbeu-Tirana, 48 orë për të federuar lojtarët

Jul 4, 2011 | 11:32
Situma me fanellën e Tiranës

Drejtuesit e klubit të Skënderbeut dhe Tiranës kanë edhe dy ditë afat për ta regjistruar skuadrën në UEFA. Pikërisht më 6 korrik këto dy skuadra duhet të paraqesin listën e lojtarëve që do të regjistrojnë për dy ndeshjet e Kupave të Europës. Te Skënderbeu, nëse repartet e tjera mund të quhen të kompletuara, problem mbetet mosgjetja e një sulmuesi. Gjatë kësaj periudhe janë përfolur shumë emra, ndonëse aktualisht në skuadër është vetëm një sulmues për provë, Fajkal Oudira, që vjen nga skuadra e dytë e PSG-së. Edhe pse është pëlqyer nga trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, ai nuk shikohet si një lojtar që mund ta ndihmojë direkt skuadrën. Kjo pasi Oudira vjen pas pushimeve të gjata dhe i duhen disa ditë për të marrë veten. Megjithatë, duket se brenda 24 orëve të ardhshme do të zgjidhet edhe dilema për repartin ofensiv, por dhe për një përforcim tjetër në mbrojtje, në mënyrë që korçarët të jenë të kompletuar në ndeshjen e parë me Apoelin. Ndërsa Tirana duhet të zgjidhë problemet me Xhejms Situma dhe Muahmud Al Ajmi. Këta dy lojtarë konsiderohen si të rëndësishëm për këtë skuadër, por duke qenë sa kanë ardhur vetëm para pak ditësh te bardheblutë, ata nuk kanë marrë ende kartonat nga skuadrat ku luajtën deri sezonin e fundit. Kjo gjë vë me shpatulla pas murit drejtuesit e Tiranës, të cilët duhet të gjejnë menjëherë një zgjidhje, pasi kanë shumë pak kohë në dispozicion. Një gafë të paparë pat bërë në fakt Flamurtari me Devollin, duke mos arritur ta federojë për dy ndeshjet e para ndaj Buduçnostit, ndaj si Tirana dhe Skënderbeu janë të paralajmëruar.

© Panorama.al

Te lidhura