Skënderbeu ndaj Shkumbinit, as një barazim s’mjafton

Sep 24, 2011 | 12:16
Trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro

Trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, është i bindur se skuadra e tij do të fitojë ndaj Shkumbinit, ndërsa është optimist edhe për faktin se gjërat në ekip kanë filluar të ndryshojnë.  Një fitore në Pukë ndaj modestëve vendës në Kupë ka kthyer shpresën te korçarët, ndërkohë që prova e “zjarrit” pritet të jetë pikërisht takimi i sotëm ndaj peqinasve. Shpëtim Duro i ka bërë analizën situatës në prag të ndeshjes, teksa është i bindur se e vërteta në këtë përballje do të jetë fitorja. Por, nga ana tjetër, tekniku shpjegon se me presidentin Agim Zeqo gjatë këtyre ditëve kanë komunikuar vetëm për takimin e radhës, ku kërkohet me çdo kusht fitorja. Në fakt, pak ditë më parë, Duro ka deklaruar që në rast se nuk ndodh që korçarët të fitojnë, kriza në këtë ekip do të shpallet zyrtarisht dhe e ardhmja e tij në krye të Skënderbeut do vihej në mëdyshje.
Deklarata – “Vijmë në këtë sezon me autoritetin e kampionit dhe ashtu do të jemi deri në fund. Sigurisht që dy barazime në dy javët e para nuk kanë qenë rezultati që ne kërkonim, madje na kanë bërë të ndihemi keq, por ndeshja e tretë do të jetë e vërteta. Do detyrohemi t’i harrojmë dy ndeshjet e para për sfidën e radhës. Kjo fitore na duhet për shumë faktorë, por para së gjithash, për të qetësuar situatën e krijuar. Ngërçi psikologjik ka bllokuar lojën e grupit, por besoj se është një problem që nuk do të ekzistojë. Sigurisht që në çdo sfidë ne hyjnë për të fituar, por kjo e kësaj radhe ka marrë një tjetër rëndësi për ne. Nëse arrijmë ta fitojmë këtë takim do të thotë se do të jemi në grupin e ekipeve pretendente për titull, në të kundërt, as që dua ta mendoj”, ka bërë të ditur tekniku Duro.
Ndeshja – Kjo ndeshje është duke u pritur me padurim, por Duro ka një garanci se të tijtë do dinë të bëjnë atë që kanë kohë që nuk e kanë shfaqur në fushën e lojës. Sigurisht, me 80 për qind të grupit të senatorëve që ky ekip ka në përbërjen e tij, siç thotë Duro, mund të arrihen shumë gjëra të mëdha dhe njëra prej tyre është kjo fitore e dëshiruar në javën e tretë të Superiores. Duro është duke u përpjekur të vijë me një lojë tejet agresive dhe sulmuese ndaj peqinasve, ndërsa thotë se lojtarët duhet të finalizojnë aksionet e tyre për të arritur te goli. “Unë pres fitoren dhe të dal i gëzuar nga ky stadium, kjo ka shumë rëndësi për mua. Kam besim të patundur që do e fitojmë këtë ndeshje dhe do ndryshojmë 100 për qind si në lojë, ashtu dhe në rezultat”, ka mbyllur deklarimet e tij Duro, që duket më i sigurt dhe me bindjen se fitorja do i përkasë kampionëve këtë herë. Nëse ndodh kështu do të thotë se trajneri do t’i ketë pozitat më të forta se asnjëherë dhe titulli do të jetë synimi i pandryshuar i bardhekquve.

Kapiteni
Shkëmbi rikthehet nga pezullimi në lojë për të bërë maksimumin, tashmë edhe si baba. Ndeshja me Shkumbinin do të jetë e para që kapiteni i korçarëve do të luajë si baba. Vetëm 48 orë para saj ka ardhur në jetë vajza e tij, ndërsa këtë takim kapiteni do t’ua dedikojë dy vajzave të jetës së tij. Asaj që porsa ka ardhur në këtë botë, por dhe bashkëshortes së tij, Imeldës.

Superiore/ Java 3
Sot
Apolonia–Laçi            16:00
Skënderbeu–Shkumbini        18:00
Nesër
Flamurtari–Kastrioti        13:00
Tirana–Pogradeci        15:00
Bylis–Kamza            16:00
Tomori–Dinamo            16:00
Vllaznia–Teuta            17:00

© Panorama.al

Te lidhura