Skënderbeu mundet nga gjigantët e Shahtjor Donetskut

Jul 1, 2011 | 10:45

Një gol, një penallti e pritur mjeshtërisht nga Shehi dhe një lojë thuajse me një portë në pjesën më të madhe të 90 minutave. Kjo është pak a shumë rezymeja e miqësores së djeshme të zhvilluar në Austri mes kampionëve të Ukrainës, Shahtjor Donetsk dhe kampionëve të Shqipërisë. Skënderbeu i Shpëtim Duros humbet kështu ndeshjen e parë miqësore në këtë fazë përgatitore, por duke pasur parasysh kundërshtarin, humbja 1-0 duket si një fitore për skuadrën korçare. Takimi nisi mjaft mirë për ukrainasit, të cilët rrezikuan dy herë me anë të Patrik portën e Shehit. Ndërsa korçarët u kundërpërgjigjën me dy dalje të Muzakës (njëra jashtë loje) dhe një gjuajtje nga 20 metra nga ana e Shkëmbit, por që të dyja pa rrezik për portën e portierit të Shahtjor Donetsk. Pjesa e parë u mbyll edhe me disa gjuajtje të lojtarëve të Mirçea Luçeskut, të cilët në të gjitha rastet e gjetën të përgatitur Shehin. Në fraksionin e dytë të lojës, Shahtjor ushtroi më shumë presion, aq sa në minutën e 60-të kaloi në avantazh me anë të brazilianit Patrik Alan. Një gabim i mbrojtjes korçare në vendosje e nxori brazilianin të lirë për të shënuar. Duro u mundua të ndryshojë diçka në skuadrën e tij, por pa mundur që të rrezikojë portën e Khudzhamov. Në minutën e 87-të ukrainasit patën rastin më të mirë për të dyfishuar, por Dentinjo humbi një penallti, e cila u neutralizua nga portieri Orges Shehi.

Shahtjor-Skënderbeu 1-0

Shënues: Patrik 60′
Gjyqtar: Nenad Kostareviç (Austri)
Shahtjor Donetsk: Ribka (Khudzhamov 46′), Kobin, Ishenko, Emeljanov, Shevçuk, Mitarjan (Kusher 77′), Gaj, Teikseira (Aghahova 66′), Patrik, Kravçenko (Seleznev 68′), Dentinjo. Trajner: M.Luçesku
Skënderbeu: Shehi, Vrapi, Bici, R.Arapi, Robles (Sulejmanoviç 62′), Shkëmbi (Topallaj 62′), Bratiç (K.Arapi 83′), Allmuça (Biskup 46′), Orelesi, Ribeiro (Dos Santos 46′), Muzaka (Tahellari 83′). Trajner: Sh.Duro.

© Panorama.al

Te lidhura