Mbahet në GJKKO seanca për konfirmimin e sigurisë për personat e pandehur lidhur me skandalin e tenderave në AKSHI. Mësohet se gjykata iu ka dhënë 3 kohë avokatëve të tyre që të njihen me aktet e dosjes.
Të dyshuarit akuzohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe manipulonin tenderat nëpërmet pengmarrjes dhe shantazhit.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e lënë në arrest shtëpie, akuzohet për tre vepra penale shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal. Edhe ndaj zëvendëses së saj, Hava Delibashi rëndojnë të njëjtat akuza.
Ndaj zëvendës drejtorit të pezulluar për hetimin e Krimit në policinë e Tiranës, Erion Ismaili, i SPAK ka ngritur akuzat “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Në kërkim janë dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, për të cilët është dhënë masa e arrestit në burg, dhe që SPAK i akuzon për 6 vepra penale: pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal, heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Andis Papës, Gëzim Hoxhës dhe Rogers Rrytës iu është ndaluar dalja jashtë vendit dhe akuzohen për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, këta persona, duke vepruar si grup kriminal, kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara. Dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen se përmes pengmarrjes e shantazheve kanë detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Me ndihmën e drejtueseve të AKSHI, kriteret e tenderave përshtateshin në mënyrë të tillë që fitoheshin nga kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa dyshohet se grupi ka pastruar miliona euro.
© Panorama.al












