Skandali, Kombëtarja me fanella “greke”

Sep 13, 2012 | 15:30

Quajeni rastësi, mangësi, mungesë serioziteti apo edhe neglizhencë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Mund të shihet edhe si një lloj mospërfilljeje nga ana e kompanisë që prodhon dhe pajis ekipin tonë përfaqësues me uniforma (dy uniforma, një për ndeshjet në shtëpi dhe një për ato në transfertë), por është fakt se fanella që veshën futbollistët shqiptarë në ndeshjen ndaj Zvicrës mbrëmjen e së martës nuk kishte aspak lidhje jo vetëm me ngjyrat kuqezi, por as me atë çka përfaqëson në vetvete emblema e Kombëtares. U duk tejet e çuditshme, por duke qenë se luhej nën një tension dhe entuziazëm që rrallëherë (ose më mirë asnjëherë) e kemi parë përreth skuadrës sonë në ndeshjet në transfertë, askush nuk i vuri shumë rëndësi faktit se po luanim me një fanellë identike si ajo e Kombëtares së Greqisë. Të pranishmit në stadium, por edhe ata që e kanë ndjekur ndeshjen në ekran, kanë fërkuar sytë dhe në vend të ngjyrave të zakonshme, të kuqe dhe të zeza në fushën tonë, apo të bardha me mbathje të zeza dhe çorape të kuqe, kanë parë një Shqipëri të veshur të gjithën me të bardha, por me një uniformë ku spikatnin shiritat blu. Me pak fjalë, kjo uniformë nuk ishte asgjë më pak dhe asgjë më shumë sesa uniforma e dytë e përfaqësueses greke. Vërtet në Zvicër do të luanim me uniformën e dytë, jo tradicionalen, por një gjë mbetet e pashpjegueshme: çfarë përfaqësojnë shiritat blu? Uniforma e kuqezinjve në sfidën me helvetët ishte identike me atë që përdor kombëtarja greke, me të vetmin ndryshim, logon e federatës. Nuk kuptohet se përse kompania “Adidas” ka bërë një furnizim të tillë me një fanellë, e cila jo vetëm që i përket një shteti tjetër, por për më tepër nuk ka asnjë lidhje me Kombëtaren shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura