Kaosi nga mbyllja e rrugës Librazhd-Përrenjas vijon prej ditësh, kreu i ARRSH: Pati spostim 30 cm në krah të urës! Do të ndërtojmë një rrugë alternative

Feb 24, 2026 | 18:25

Bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas pak ditë më parë ka shkaktuar kaos në juglindje për shkak të shembjeve dhe rrëshqitjeve. Shumë qytetarë u prekën nga vendimi për të bllokuar qarkullimin, ndërsa mbetën të bllokuar edhe në rrugët alternative për shkak të fluksit të lartë.

WhatsApp Image 2026-02-24 at 18.43.48

Megjithatë, ndonëse situata është prej ditësh emergjente, ndërhyrjet konkrete ende nuk kanë nisur. Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ai i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe përfaqësues të tjerë institucionalë dolën në një konferencë për mediat për të sqaruar situatën e krijuar në këtë aks rrugor.

Kreu i ARRSH-së deklaroi se vendimi për të mbyllë aksin erdhi pasi pati një spostim prej 30 centimetrash në krah të urës në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”. Shkaktimin e kësaj situate ai e “lidhi” me reshjet intensive të shiut, me erozionin lumor dhe saturimi i tokës.

Kozeli theksoi se në një mbledhje të sotme, kanë marrë vendimin për të ndërtuar një rrugë alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, shembjen e urës së dëmtuar dhe ndërtimin e një të reje, si dhe devijimin e shtratit të lumit në pjesën që prek trupin e hekurudhës.

“Në mbledhjen e sotme, këshilli teknik i përbashkët mori këto vendime. Ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin për të mundësuar kalimin e trafikut deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes.

Rakordimi me hekurudhën shqiptare, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve ujore për realizimin e kësaj rruge, prishja e urës ekzistuese, dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur deri në krijimin e një skarpate natyrale. Devijimi i rrjedhës së Lumit që aktualisht godet trupin e hekurudhës për të garantuar mbrojtjen e saj dhe shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.”, tha ai.

I pyetur për një afat kohor, brenda të cilit do të ndërtohet rruga e re, ai theksoi: “Ky aks i ri është 1.3 km nuk mund të them një afat konkret kohor.”

© Panorama.al

Te lidhura