Bill Gates mori përgjegjësi për veprimet e tij lidhur me marrëdhëniet me Jeffrey Epstein gjatë një takimi me punonjësit e Gates Foundation.
Komentet e zëdhënësit te fondacionit janë përgjigje ndaj një shkrimi të Wall Street Journal, i cili raportoi se Gates kishte kërkuar falje ndaj stafit të fondacionit për lidhjet e tij me Epstein.
Dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA zbulojnë se Gates dhe Epstein takoheshin herë pas here pas lirimit të financierit amerikan, për të diskutuar zgjerimin e aktiviteteve filantropike të themeluesit të Microsoft.
Sipas raportit, Gates i tha stafit se ishte një gabim i madh të kalonte kohë me Epstein dhe të përfshinte në takime punonjës të fondacionit.
Shkrimi përmend një regjistrim të komenteve që Gates bëri gjatë takimit me punonjësit: “Kërkoj falje ndaj njerëzve të tjerë që janë përfshirë në këtë për shkak të një gabimi që unë bëra,” u citua se deklaroi Gates sipas WSJ.
Gazeta gjithashtu raporton se Gates pranoi dy lidhje me gra ruse, të cilat më vonë i zbuloi Epstein, por theksoi se këto gra nuk ishin pjesë e viktimave të Epstein.
“Unë nuk bëra asgjë të paligjshme, dhe as nuk pashë diçka të paligjshme,” u citua Gates duke folur me stafit e fondacionit.
Dokumentet e publikuara përfshijnë edhe foto të themeluesit të Microsoft me gra, ku fytyrat e tyre janë modifikuar për të mos u dalluar.
Gates kishte deklaruar më parë se marrëdhënia e tij me Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe i gjetur i vdekur në qelinë e tij, ishte e kufizuar vetëm në diskutime filantropike dhe se ishte gabim takimi me të.
Sipas Wall Street Journal, Gates i tha stafit se Epstein i kishte kërkuar të bënte këto foto me asistentët e tij pas takimeve.
“Për t’u qartësuar, kurrë nuk kalova kohë me viktimat, me gratë që e rrethonin atë,” shtoi Gates, sipas gazetës.
Më herët këtë muaj, Gates Foundation njoftoi se nuk kishte bërë asnjë pagesë ndaj Epstein dhe nuk e kishte punësuar kurrë për ndonjë çështje.
© Panorama.al













