
Një raport i Komisionit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare për vendet kandidate dhe atyre që aspirojnë për anëtarësim thotë se ndarja e thellë mes partive politike dhe vonesat në shpalljen e rezultatit për bashkinë e Tiranës pas zgjedhjeve të 8 majit, po peshojnë në performancën ekonomike të vendit.
Raporti thekson se, sipas OSBE-së zgjedhjet ishin konkuruese dhe transparente, por u dëmtuan nga shkalla e lartë polarizimit dhe mosbesimit mes partive politike.
“Ndarjet e thella mes partive politike, sëbashku me rezultatin e vonuar për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vazhdojnë të peshojnë mbi performancën ekonomike të vendit.”- thuhet në raport.
Sipas raportit, shkalla e papunësisë ka mbetur praktikisht e pandryshuar në 13.4% në tre mujorin e parë të viti 2011. Punësimi në sektorin publik ka filluar të bjerë, ndërkohë që paga mesatare ka filluar të rritet.
Në tre mujorin e parë shitjet e jashtme u rriten, kryesisht nga eksporti i lartë i energjisë elektrike dhe materialet e ndërtimit. Importet gjithashtu kanë pësuar rritje në këtë periudhë.
Dërgesat e emigrantëve të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të transfertave të tanishme, ranë me pothuajse 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në një vlerësim të përgjithshëm, raporti vëren se ekonomia shqiptare ka vazhduar rritjen e saj pozitive, pavarësisht se e ngadaltë.
© Panorama.al











