Topi-Wollfarth: Kolegji, vendim të paanshëm

Jul 5, 2011 | 14:53

UPDATE- Përmbyllja e procesit zgjedhor dhe pritja me qetësi nga palët të vendimit të paanshëm të Kolegjit Zgjedhor ka qenë në qendër të bisedës mes kreut të shtetit, Bamir Topi dhe ambasadorit të OSBE-së, Eugen Wollfarth.

Në takimin e zhvilluar në mesditë në Presidencë, Topi theksoi “nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011 sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur.”

Të dy vunë në pah nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e Kodit Zgjedhor në fuqi dhe përmirësimin e mangësive të tij aktuale.

Nga ana e tij, ambasadori shprehu mbështetjen e vendosur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij të vazhdueshme që bëjnë thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar nevojën e rivendosjes së dialogut institucional e funksional demokratik.

“Në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore”- theksuan ata gjatë takimit.

Nderkaq, neser Kolegji Zgjedhor pritet te marrë vendimin për ankimimin e Partisë Socialiste për pavlefshemrin e zgjedhgjeve ne 284 qendra ne Tirane.

 

© Panorama.al

Te lidhura