TIRANE-Kreu i shtetit i ka bere apel paleve politike te vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit dhe ka garantur se Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë të Institucionit të Presidentit për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike.
Me kete mesazh ka dale presidenti pas takimit me tre ambasadoret, e SHBA, BE dhe OSBE. Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor.
Gjithashtu, të tre Ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend.
Nga ana e tij presidenti i Republikës, ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të Baroneshës Eshton dhe Komisionerit Fyle.
“Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar!”- theksoi zedhenesja e presidentit gjate nje deklarate per mediat, pak kohe pas mbylljes se takimit mes Topit dhe ambasadoreve.
Takimi me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart u zhvillua ne oren 10.30 ne Presidence dhe zgjati pak me shume se 30 minuta.
Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces.
© Panorama.al











