Pas lajmit mbi masakrën që mori jetën e rreth 200 personave në Hama, nga sulmi i regjimit të Presidentit sirian, Bashar al Asad, një alarm i ri u vu nga “Wall Street Journal”, që ka informacion mbi rrezikun e përdorimit të armëve kimike siriane kundër opozitarëve. Sipas WSJ, informacionet e saj në terren tregojnë se regjimi i Asad ka zhvendosur armët kimike nga depot ushtarake dhe mund t’i vendosë ato në përdorim në disa zona të vendit, ku konflikti me forcat opozitare është i ashpër. Sipas gazetës amerikane, depozitat ushtarake me gaz nervin, që asnjëherë nuk janë deklaruar në arenën ndërkombëtare nga Siria, tashmë janë boshatisur dhe besohet se ky gaz mund të përdoret në luftën e forcave të regjimit kundër opozitës dhe civilëve. Reagimet ndaj këtij lajmi kanë qenë të ndryshme. Shumë besojnë se armët kimike të ndaluara nga OKB-ja, mund të përdoren nga forcat qeveritare, ndërsa të tjerë mendojnë se me boshatisjen e depove, zyrtarët e Damaskut po përpiqen për të zhdukur gjurmët e këtyre armëve. Armët kimike janë klasifikuar si armë shkatërrimi në masë nga OKB-ja dhe përdorimi i tyre konsiderohet shkelje e rregullave të luftës.











