Dihet tashmë sa sensitive është në Kosovë dhe Maqedoni tema e nxehtë e marrëdhënievë mes shqiptarëve të atyre trevave dhe serbëve. Duket se edhe me kalimin e viteve ajo mbetet gjithnjë një marrëdhënie problematike dhe, sipas gjasave, e tillë mund të mbetet për shumë kohë. Nga ana tjetër, disa këngëtarë nuk mjaftohen thjesht me punën e tyre, siç është të kënduarit dhe argëtimi i publikut, por po marrin përsipër të bëjnë edhe nga pak politikë në daljet e tyre publike. Këngët me temë patriotike apo thirrjet gjatë koncertit bazuar mbi këtë temë, tashmë janë bërë të zakonshme. Por këngëtari i muzikës popullore, Sinan Hoxha, në një nga koncertet e tij në Kosovë, ka bërë diçka më shumë. Javët e fundit në disa rrjete sociale në internet qarkullon një video e tij, teksa në mes të një kënge popullore ai ndryshon tekstin duke thënë: “O krejt serbëve iu a…. nënën”. Natyrisht që tek të ftuarit kjo ka bërë mjaft efekt dhe është shoqëruar me ovacione, por komentet mbi këtë improvizim të tij nuk kanë qenë të gjitha pozitive. Edhe vetë shqiptarë nga Kosova kanë dhënë mendimin e tyre se politika nuk duhet përzier me këngën, ndërkohë që nacionalistët e flaktë e kanë pëlqyer gjestin e Sinanit. Të shohim nëse këta mbështetës të tij mund t’i japin zemër që Sinani ta përsërisë improvizimin e tij në koncertet e ardhshme.
Pas mosmarrEveshjeve, Seldi dhe Sinani së bashku në Suedi
Mosmarrëveshjet të cilat ishin bërë shkak që dy këngëtarët e njohur të mos vazhdojnë bashkëpunimin, siç duket tashmë janë tejkaluar. Në muajin mars të këtij viti, Seldi dhe Sinani do të jenë përsëri bashkë në disa koncerte në Suedi. Mosvazhdimin e bashkëpunimit nuk e komentoi asnjëri prej tyre, duke mos dhënë arsye se pse ata të dy nuk duan të shfaqen bashkë në koncerte, ndërsa thuhej se Sinani ka qenë pikërisht ai i cili ia kishte ndaluar Seldit të këndojë këngët që i kanë në duet. Ndërsa më vonë, Sinani filloi të zbusë pak situatën, duke thënë se nuk është e thënë që ata të dy të paraqiten patjetër së bashku në koncerte, sepse nuk kanë qenë asnjëherë grup, por vetëm kanë pasur disa bashkëpunime dhe janë miq të mirë. Por gjithë këtë situatë të krijuar dhe të ftohur pak duket se e ka ngrohur menaxheri i Sinanit dhe Seldit për Suedinë, z. Samir Kuçi, i cili i ka ftuar që të dy të performojnë më datën 2 dhe 3 mars në Suedi, duke dhënë edhe një reagim në lidhje me shkrimet që janë bërë në mediat shqiptare për rastin në fjalë. ‘’Sinan Hoxha e Seldi Qalliu kanë qenë të ftuar në koncertin e 2 dhe 3 dhjetorit në Göteborg dhe Malmö të Suedisë, duke qenë shumë të mirëseardhur e të mirëpritur në mërgatën shqiptare. Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë Sinani e as Seldi nuk e kanë përjashtuar njëri-tjetrin nga koncertet në Suedi. Sinani për shkaqe objektive nuk ka ardhur në Suedi (ndodhej në SHBA me koncerte), ndërsa vetë Seldi ka evituar këngët në duet, të cilat i ka interpretuar më heret me Sinanin. Dhe gjatë muajve në vijim, Suedinë do e ndezin me hitin e tyre ‘’Kuq e zi’’, thekson në reagimin e tij menaxheri Kuçi.











