TIRANE – Një 30-vjeçari i ka zgjatur vetëm një javë gënjeshtra se i kishin vjedhur makinën, që kishte si qëllim përfitimin e një shume parash nga siguracioni i mjetit. Tahsim Dylgjeri ka menduar që duke bërë një kallëzim në polici sikur i kishin vjedhur makinën “Audi A6”, në rrugën “Shyqyri Ishmi” në Tiranë, do arrinte të bindte kompaninë e sigurimeve t’i kompensonte dëmin. Në fakt, shumë shpejt oficerët e Komisariatit Nr.1 që kanë hetuar ngjarjen, zbuluan se Dylgjeri kërkonte të përfitonte dyfish nga makina “e vjedhur”, të cilën në të vërtetë e kishte shitur për shumën 5 mijë euro, ndërsa nga ana tjetër kërkonte sërish para nga siguracioni kasko. Më datë 4 janar të këtij viti, Tahsim Dylgjeri ka denoncuar në Komisariatin Nr.1 se gjatë natës i kishin vjedhur makinën “Audi A6”, me targë DOAP 186, të cilën e kishte parkuar poshtë pallatit. Por kanë mjaftuar vetëm disa ditë hetime nga ana e Policisë për të zbuluar se kallëzimi i tij ishte i rremë, pasi makina është gjetur në një servis në Elbasan dhe pronari aktual i saj i ka treguar të vërtetën Policisë, duke e provuar me një dokument shitblerjeje të noterizuar, ku kishte firmosur edhe “i dëmtuari”. Menjëherë pas zbardhjes së të vërtetës, policia nisi procedim penal në gjendje të lirë ndaj 30-vjeçarit Tahsim Dylgjeri, me akuzën “kallëzim i rremë”.











