
Shoqëritë e sigurimeve do të vendosin vetë tarifat e sigurimeve për mjetet e transportit, duke lajmëruar paraprakisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.Tashmë, kjo praktikë ka filluar të zbatohet në vend, por miratimi i rregullave se si do të funksionojë ky treg do të bëhet pas hyrjes në fuqi të ligjit që u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Linda Rusmali, lidhur me projektligjin “për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, u shpreh se kishte ardhur koha që të bëhej një liberalizim i tregut, pasi vetëm Maqedonia dhe Shqipëria kishin një model jo liberal. Një nga problematikat që u ngrit në Komisionin e Ekonomisë nga kryetari Edmond Spaho ishte nëse ka kohë të mjaftueshme që të implementohet ligji nga AMF. “Koha në dispozicion për implementimin e këtyre ndryshimeve nuk e dimë a është e mjaftueshme. Kam marrë një sugjerim që 1 janari i vitit të ardhshëm mund të jetë afati i përshtatshëm. Ky është një shqetësim që më ka ardhur nga AMF në fakt. Shqetësimi më shumë ka të bëjë më shkallën e përgatitjes së tyre dhe të aktorëve në treg”, tha Spaho. Ndërkohë, nga Rusmali u propozua që, nëse flitet për afat, ai mund t’i përcaktohet autoritetit në ligj, brenda të cilit AMF të miratojë vetë këtë rregullore. “Tek neni 10 mund të vendosim një afat brenda të cilit autoriteti është i detyruar që të miratojë këtë rregullore. Nuk mendoj që është e lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit, pasi sot që po flasim ligji është në fuqi dhe shoqëritë e sigurimit po aplikojnë tarifa të liberalizuara. Po diskutojmë një afat brenda të cilit autoriteti do të vendosë rregullat se si do të funksionojë tregu”, tha Rusmali. Ndërkohë, deputeti Sherefedin Shehu ngriti si problematikë faktin nëse autoriteti ka kapacitetet e mjaftueshme infrastrukturore për të zbatuar një nismë të tillë. Sipas Shehut, nëse infrastruktura siç është monitorimi online nuk funksionon, mund të krijohen probleme. Në fund, Komisioni dha miratimin për projektligjin në tërësi.
Liberalizimi
Liberalizimi i tregut ka të bëjë me dhënien dorë të lirë kompanive që të vendosin tarifat e tyre vetë, pa zbatuar ndonjë çmim dysheme apo tavan që e përcakton AMF. Kjo praktikë synon të rritë konkurrencën, por dhe të detyrojë kompanitë të bëjnë deklarimin e tarifës reale.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











