Si jetuan për 5 ditë në shërbim te KQZ 1500 efektiva policie

May 23, 2011 | 12:26

Policia e Shtetit duket se është gjendur në befasi nga gjendja e krijuar në pesë ditët e fundit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë. Një javë më parë, Policia rriti gatishmërinë në gjithë vendin dhe veçanërisht në Tiranë, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve lokale.Por disa ditë më pas, kur mbështetës e deputetë të Partisë Socialiste nisën të grumbullohen para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Policia mesa duket kuptoi se një situatë e tillë dhe veçanërisht kthimi i protestave në aktivitete të përditshme nuk ishin parashikuar. Forca të shumta të Policisë së Tiranës, ende pa përfunduar planin e masave në vendin e numërimit të votave, u detyruan të zhvendosen tek KQZ, për të mbrojtur institucionin nga sulmet e mundshëm. Stacionimi i Policisë para KQZ u bë i nevojshëm pasi ditën e parë deputetët e PS hynë në ambientet e Komisionit ku ndodhën disa incidente. Në mbështetje të forcave të rendit erdhën edhe FNSH nga Shkodra e Fieri, madje edhe forcat RENEA dhe, në këtë mënyrë, KQZ u “blindua” nga mbi 1500 policë.
Protestat
Tri ditët e para të tubimeve para institucionit ku po numëroheshin votat e kontestuara për kandidatët për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha dhe Edi Rama, forcave të policisë iu desh të qëndronin pa ndërprerje në gatishmëri. Ishin të njëjtët efektiva që, për shkak të situatës së trazuar, por edhe të pamundësisë së zëvendësimit, punuan pa u zëvendësuar nga askush. Për tri ditët e para, efektivat e policisë shërbyen para KQZ duke u përplasur me deputetë e militantë të Partisë Socialiste, që tentonin të kapërcenin me dhunë kordonin policor. Disa prej efektivëve patën nevojë për ndihmë mjekësore, pasi lodhja dhe gatishmëria në diell e shi u shkaktoi luhatje tensioni e humbje ndjenjash. Tri ditët e para të protestës ishin më të mundimshme, pasi gjatë kësaj kohe pati tentativa të vazhdueshme nga deputetët e protestuesit për çarjen e rrethimit. Duke u nisur nga kjo situatë aspak e zakontë, drejtuesit e policisë më në fund vendosën të bëjnë një grafik punë, në mënyrë që efektivët e policisë të zëvendësonin njëri-tjetrin dhe askush prej tyre të mos qëndronte në gatishmëri më shumë se orari zyrtar i punës së tyre. Masat u detajuan në një formë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos mbetej në asnjë moment pa “mbrojtje” policore. Gjatë orareve kur para KQZ do të zhvillohej tubimi, nga mbështetës dhe deputet të PS, në gatishmëri duhet të jenë me doemos 1500 forca policie.
Masat
Sipas planit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat e rendit janë vendosur në vijën e parë, ndërsa RENEA do të mbajë një distancë duke u pozicionuar në pjesën e pasme të KQZ. Ndërkohë, numri minimal i forcave të policisë gjatë kohës që nuk ka tubim dhe protestuesit largohen, duhet të jetë jo me pak se 600. Gjatë natës, KQZ do të mbahet nën kontroll vetëm nga grupet e gatshme të policisë. Rrethimi fillon të përforcohet në orët e para të mëngjesit, të paktën gjysmë orë para nisjes së mbledhjes së radhës së KQZ. Me shtimin e trupave në shërbim, pas ditëve të para të protestës, në mënyrë që një pjesë e policisë së kryeqytetit t’i kthehej punës normale, që efektivat e komisariateve të planëzoheshin te KQZ sipas një radhe të caktuar, (një komisariat për çdo ditë), në Tiranë mbërritën edhe forca rendi nga Vlora, Shkodra, Durrësi dhe Elbasani. Gjithashtu, grafiku i hartuar nga drejtuesit e Policisë së Shtetit zgjidhi edhe problemin e të ushqyerit. Fondi ekzistues prej 300 lekësh të reja do të përdorej për mëngjesin dhe darkën. Ndërsa dreka u sigurua nga një marrëveshje që Policia e Shtetit nënshkroi me një kompani private, e cila furnizon me ushqim edhe spitalet e vendit. Gjatë ditëve të shërbimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve efektivat e policisë janë ushqyer në vendshërbim pa u larguar nga zona. Ushqimi në mëngjes dhe në darkë ka qenë më i sistemuar, por dreka, edhe për shkak të pikut të aktivitetit, është konsumuar në vendshërbim pranë KQZ-së, pasi është servirur e ambalazhuar.

Policia: 12 të plagosur tek KQZ

Në katër ditët e para të protestave tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Tiranës deklaroi se 12 efektiva të saj janë plagosur gjatë përleshjes me deputetët e PS. Në përleshje kanë marrë pjesë edhe militantët e Partisë Socialiste që kanë mbështetur deputetët në përpjekjet e tyre për të hyrë në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Efektivat e dëmtuar janë larguar nga shërbimi dhe pas mjekimeve kanë marrë raport.

Denoncimet ndaj deputetëve

Dy pjesëmarrës në protestat e PS tek KQZ janë arrestuar ndërsa Drejtoria e Policisë së Tiranës ka çuar për ndjekje penale në Prokurori një grup deputetësh të opozitës. Policia i ka akuzuar ata se kanë kryer veprën penale të “fyerjes”, “kundërshtimit” dhe “goditjes për shkak të detyrës”. Gjithçka ka ndodhur gjatë përplasjeve fizike në portën hyrëse të KQZ në Tiranë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura