Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. U arrestua më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961 Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg.

Me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973 Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg. Ai u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983- 1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit. Aty u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për arsye biografie. Gjatë viteve të diktaturës Uran Kostreci u dënua tri herë dhe vuajti 22 vjet, 10 muaj, 1 javë burgim të padrejtë të motivuar politikisht, për propagandë kundër regjimit komunist, përpjekje për t’u arratisur dhe mospajtime me zyrtarët e kohës. Ai mbahet mend nga miqtë për qëndresën ndaj regjimit komunist.
NË DHOMAT E IZOLIMIT
Uran Kostreci ishte një prej të dënuarve të regjimit komunist që iu përkushtua plotësisht krijimtarisë letrare në periudhën e burgut, duke vijuar pasionin e tij për letërsinë që e kishte përqafuar që në ditët e rinisë së hershme në shkollë. Por si dhe ku shkruante, si i ruante ai krijimet e tij për të mos ia zhdukur rojat gjatë kontrolleve? Pak kohë para se të ndahej nga jeta, ai ka rrëfyer historinë e krijimit të poemës “Epopeja e karkalecave”. Ajo i ka marrë plot 10 vite kohë për ta shkruar e rishkruar, e sigurisht për ta memorizuar në ato kushte terrori… “Në burg bëja ca përkthime, ca sonete, por na i morën kapterët. Një herë në 2-3 muaj bënin kontroll, i gjenin dhe i merrnin. Na thoshin se do të na i kthenin prapë. Por nuk na i jepnin më. Gjithsesi, ishin pa ndonjë përmbajtje me rrezik. Por çfarë shpëtova unë atje, nga shkrimet e mia? Shpëtova vetëm ‘Epopenë e karkalecave’, një poemë satirike kundër komunistëve.
Ia vura emrin ‘Epopeja e karkalecave’, si njëfarë sfide ndaj ‘Epopesë së Ballit Kombëtar’ të Musarajt. Pra, unë bëra një poemë satirike, por simbolike. Disa fjalë si komunizmi nuk i përmenda, por që ishte e qartë. Nuk u bë në një ditë, as në një muaj, as në gjashtë muaj sepse edhe ngjarjet nuk ndodhin në një ditë. Si të thuash, ajo është një histori e komunizmit, në vargje, në mënyrë sa më koncize të mundshme, për pikat kulmore të atij regjimi. E bëra dhe ku u bë? U bë në birucë, ku s’kisha as laps e as letër. Shkrimi i saj është një histori më vete. Mua më kanë futur shpesh në birucë. Edhe letër aty nuk lejohej, ndërsa në dhomë po, kishim letra, fletore, lapsa. Ndërsa në birucë jo. Unë merrja nga copat e gazetave ato pjesët anësore, i merrja në tualet. I laja aq sa mund të lahet letra, i shtroja në çimento në birucë që të thaheshin dhe shkruaja me një grafit, me atë pjesën e brendshme të lapsit, që i mbaja të qepura gjithmonë te xhaketa.
Në birucë e kam shkruar pjesën më të madhe të “Epopesë së karkalecave” dhe pastaj e mësoja përmendësh dhe atë letrën e grisja. Dhe kjo u shkrua e u rishkrua gjatë 10 viteve, se kaq ishte intervali i kohës që e bëra, por se sa herë e kam përsëritur, nuk e di, ndoshta 100 herë, ndoshta 200, nuk e di, s’e mbaj mend, derisa e mësova përmendësh. 2.000 vargje i nxora nga burgu dhe i botova pastaj te gazeta “Liria” që themelova në vitin 1992, gazeta e të burgosurve politikë të Shqipërisë, ku isha kryeredaktor”, – ka rrëfyer Kostreci vite më parë.
KALVARI I JETËS
Afro një të tretën e jetës së tij 83-vjeçare, Uran Kostreci e kaloi në burgim, torturë, izolim, punë të detyruar, internim pas burgut dhe vështirësi të shumta. Por ai u thoshte miqve me krenari, komunistët nuk e ndryshuan dot; ai ishte dhe mbeti njeri i lirë dhe antikomunist. Uran Kostreci vlerësohet nga bashkëvuajtësit si një legjendë e rezistencës dhe e fjalës së lirë. Ai nuk lexoi kurrë një fjalim të detyruar, nuk pranoi kurrë mendime të imponuar nga zyrtarët, por shkroi dhe foli vetëm mendimet e tij të lira, shkroi sonete dhe fabula prej shpirtit të tij artistik. Pas burgimit të gjatë për motive politike, zoti Kostreci botoi një seri vëllimesh me poezi dhe proza.
Ai u bë në 30 vitet e fundit një nga të dënuarit politikë më të palodhur në zbardhjen dhe denoncimin e krimeve të komunizmit, si dhe në mbajtjen gjallë të kujtesës së shoqërisë për këto krime të diktaturës. Autor i disa përmbledhjeve poetike, mes të cilave Epopeja e karkalecave të cilën e shkroi në burgun e Burrelit, prej ku dhe e arriti ta nxirrte. Pas ndryshimeve politike në fillim të viteve ’90 u zgjodh kryetar i degës së Partisë Demokratike në Elbasan. Uran Kostreci kishte diplomën e një mësuesi dhe zemrën e një nxënësi, buzëqeshjen e fëmije dhe durimin e një burri trim, pohuan bashkëvuajtës të tij.
Ai ishte mbijetuesi i një kalvari vuajtjesh dhe rezistence antikomuniste. Uran Kostreci ishte një i pabindur i pandreqshëm ndaj komunizmit, i lidhur këmbë e duar për javë e muaj të tëra në qeli të izolimit brenda burgut për mosbindje, ai rekordmen i mosbindjes në qeli izolimi, mbeti përsëri i lirë dhe me ëndrrën për demokraci të vërtetë. Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria” gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist. Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











