Mesfushori i Bajernit, Bastian Shvajnshtaiger, ka shpalosur recetën e tij për javët në vijim. Gjatë një interviste për “Sport1”, zëvendëskapiteni i rekordmenëve gjermanë nënvizon se skuadra ndodhet në superformë dhe dëshiron që të jetë gjithnjë në krye të tabelës, si dhe duke analizuar rezultat e mbrojtjes, 27-vjeçari gjerman kërkon të thyejë rekordin e sezonit 2007-2008, kur pësuan vetëm 21 gola. “Kryesimi i tabelës të bën të ndihesh mirë dhe të motivon të punosh më shumë për të qëndruar në krye. Do bëjmë të pamundurën për të mbajtur këtë qëndrim, por edhe sikur të mos ndodhë, e rëndësishme do të jetë që ne të jemi të parët në javën e 34-t”, nënvizoi mesfushori i Bajernit, teksa kërkon të thyejë rekorde dhe të fitojë tituj. “Edhe pse është herët të analizojmë, javët e para janë një dëshmi e mirë për të ecur përpara. Do përpiqemi që të mos pësojmë gola, pasi kampi difensiv e ka treguar qartë kualitetin, duke pësuar vetëm një gol. Me këto ritme synojmë të thyejmë rekordin e 2008-s, kur pësuam 21 gola. Besoj se nëse e arrijmë, atëherë do jetë shumë e thjeshtë për ne të ndodhemi në krye. Javët e ardhshme do të jenë të vështira për ne, pasi angazhimet janë të shumëfishta, si në Champions, Kupë dhe kampionat”.











