Shtyhet për herë të 12-të gjyqi ndaj Dajtit

May 19, 2012 | 12:41
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Procesi në ngarkim të Dritan Dajtit, të akuzuarit për vrasjen e katër policëve në gusht 2009 në Durrës, nuk doli as dje nga “ngërçi” ku është futur prej disa muajsh. Për të dymbëdhjetën seancë radhazi, trupa gjykuese e kësaj dosjeje vendosi dje shtyrjen e seancës për një datë të re. Shkaku i dështimit të seancës ishte i njëjtë me atë të seancave paraardhëse; mungesa e avokatëve mbrojtës në proces. Ndonëse pas çdo seance, Gjykata për Krimet e Rënda ua ka referuar situatën e krijuar për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, deri tani nuk është marrë asnjë masë. Dje në proces ishte i pranishëm vetë i pandehuri Dritan Dajti dhe i bashkëpandehuri i tij, Mariglen Muça, ish-oficeri i Policisë së Durrësit, i cili akuzohet për ndihmesën e dhënë ndaj Dajtit kur ky ishte në arrati. I pandehuri tjetër në proces, Ergest Xhoxhi, kunati i të pandehurit Dajti, nuk ishte i pranishëm dhe as avokati i tij mbrojtës. Në bankën e mbrojtësve ishte i pranishëm vetëm avokati i të pandehurit Muça. I pyetur nga gjykata për vijimin e gjykimit, Dajti pranoi të përfaqësohej pa avokat, por mungesa e të pandehurit Xhoxhi dhe avokatit të tij mbrojtës e bënte të pamundur vazhdimin e seancës. Për shkak të rrethanave të krijuara, gjykata nuk zëvendësoi avokaten kryesisht të caktuar një seancë më parë për Dajtin. Në përfundim të seancës, trupa gjykuese bëri me dije se situatën e krijuar do t’ia bënte me dije Ministrisë së Drejtësisë, si edhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.           ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura