Shtrenjtimi i produkteve të shportës, Ibrahimaj: Do të ngremë grupe monitorimi, nuk ndërhyjmë në çmime! S’mund të veprojmë me të njëjtin mekanizëm si karburantet

Mar 27, 2026 | 11:05

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi se do të monitorojnë edhe çmimet e rritura të produkteve të shportës që janë reflektuar në vend javët e fundit pas krizës në Lindjen e Mesme.

Në konferencën për shtyp, ajo theksoi se do të ngrenë grupe monitorimi për të verifikuar në bazë dtore luhatjet që janë pësuar me çmimet. Sipas saj, do të monitorojnë një shportë me 80 produkte, që janë përzgjedhur me INSTAT.

Po monitorojnë një shportë me 80 ushqime, në bazë ditore. Kanë filluar të reflektohen çmime të rritura në disa prej produkteve të shportës. Për këtë arsye, siç e thashë do të aktivizojmë një ekip, disa grupe monitorimi nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për të verifikuar këto çmime pasi kemi zgjedhur me INSTAT këtë listë produktesh.

Do të dalim në terren për të monitoruar çmimet dhe reflektimin e furnizimet me realitetin e çmimeve. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen do të merren vendime që lidhen me shportën bazë, me rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit. Në vitin 2022 ngritëm një bord për ushqimet, e vështirë që këtu të bëjmë të njëjtin mekanizëm si te karburantet se format dhe mënyrat e importit të ushqimeve.

Produktet e shportës kanë shumëllojshmëri të mënyrave të importimit apo tregtimit. Masa për të mbrojtur edhe shtresat në nevojë”, tha Ibrahimaj.

Më tej, ajo paralajmëroi se nuk do të ndërhyjnë në çmime, sepse sipas saj, nuk mund të veprojnë me të njëjtin mekanizëm si me karburantet, ku është ngritur një Bord Transparence për të mbajtur nën kontroll naftën e benzinën.

Ministrja argumenton se forma dhe mënyra e importit të produkteve ushqimore është e ndryshme nga karburanti dhe për këtë arsye s’ndërhyjnë.

“Unë nuk thashë që ne do të ndërhyjmë në çmime. Madje e shpjegova pse nuk bëjmë dot të njëjtën mekanizëm që aplikuam tek karburantet, sepse është e pamundur të ndërhymë në çmime. Ajo që unë thashë është që ne jemi duke monitoruar në bazë ditore, dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive. Thashë që në rast se do kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit, do të suportojmë shtresat që nuk përballojnë dot kostot.”, shtoi ministrja.

© Panorama.al

Te lidhura