Shteti social, individi dhe moraliteti i shtetit

Feb 21, 2026 | 7:59

gezim-tushi

NGA GËZIM TUSHI

Herë pas here, në biseda sloganet e “nxehta” të protestave të qytetarëve dhe në ligjërimet e emisioneve mediatik, vihet re një lloj kakofonie teorike e shoqëruar me paqartësi emocionale të reagimit të njerëzve dhe shfaqjes së dëshirave dhe kërkesave të tyre, për një shtet më shumë përgjegjësi sociale, përmasa më të mëdha e dimensione që herë janë të drejta, të mundshme dhe efektive apo thjesht subjektive e të imagjinuara.

Kjo situatë ka sjellë në jetën e përditshme jo thjesht paqartësi, që kanë të bëjnë me përcaktimin e tipologjisë dhe standardeve organike të shtetit social, por edhe si problematikë e thellë me efekte negative, paralizuese që krijojnë mpirje energjish dhe shtimin e njerëzve që për shkak të moskuptimit apo paqartësive kanë të konsoliduar një koncept social arkaik e utopik, krejt të parealizueshëm në kohën e sotme në kushtet e shoqërisë liberale, individualiste, të bazuar në parimet e ekonomisë së tregut.

Pasojat e kësaj situate nuk janë me natyrë hermeneutike, por me efekte materiale e kolaterale, që lidhen me veprime inerte e të paralizuara të shumë njerëzve, që akoma kanë iluzione dhe pretendime të pamundura për një realitet më social, që me sa duket përfundimisht nuk do të ekzistojë, që në përfytyrimin e tyre është i lidhur me praninë e përgjegjësive të shtetit social klasik me përmasa të hipertrofizuara.

Është imperative, jetike dhe jo thjesht teorike, që njerëzit tanë të largojnë iluzionet, pritmëritë dhe utopitë pretencioze për një “dorë sociale” më të gjatë të shtetit, sepse kjo është e pamundur në kushtet e shoqërisë sotme shqiptare, me natyrë liberale, me mbingarkesë sociale e përgjegjësi individuale, si paradigmë e pandryshuar, jetike dhe ekzistenciale në kushtet e ekonomisë superliberale të tregut. Një model i cili ka kohë që aplikohet në jetën tone dhe për pasojë ka sjellë rrudhjen e natyrshme e të nënkuptuar të dimensionit të reduktuar të modelit klasik të shtetit social. Nuk është mirë që të jemi cinikë, të pavërtetë dhe shpërndarës iluzionesh sociale tek njerëzit, duke mos u thënë të vërtetat që duhen kuptuar e pranuar me vullnet e krenari, pa u thënë atë që është në thelbin e këtij realiteti. Koha ka sjellë një raport të ri, krejt të ndryshëm nga modeli i vjetër i shtetit social, apo nga përmasat e dëshiruara e të imagjinuara nga ata, që akoma nuk e kanë kuptuar kohën, “tingullin” e saj.

Kakofonia dhe turbullirat konceptuale të politikave elektorale kontingjente, nuk kanë ndihmuar me sinqeritet që njerëzit tanë të kuptojmë dhe pranojmë thelbin dhe natyrën e realiteteve të ndryshuara (ndoshta të përmbysura) të raporteve midis shtetit dhe politikës nga njëra anë, dhe përgjegjësive, njëkohësisht edhe shpresave të individit për më shumë shtet social, humanizëm e solidaritet njerëzor. Kjo sepse në deklarimet evazive të politikave sociale në Shqipëri, nuk ka qenë gjithnjë e qartë dhe konceptualisht e konsoliduar dikotomia politike midis dimensioneve respektive, ontologjike e dimensionale të tipologjisë së “shtetit social”, nga standardet e vërteta të shtetit liberal me dimension social minimal, apo e thënë më shkoqur, ndarja ideologjike dhe ekonomike e natyrave specifike të politikave sociale të majta dhe të djathta. Kjo sepse në këtë pikë nuk ka qenë e mundur përcaktueshmëria dotrinore sociale, në përputhje me deklarimin politik të së majtës (Partisë Socialiste) apo të djathtës (Partia Demokratike).

Madje, ka momente madje që në zbatimin e programeve, politikave dhe strategjive sociale, në qëndrimet empirike e politike të partive ka kundërsense me orientimin doktrinor nominal, të ndryshme nga “tabelat politike” respektive të secilës parti. Ka plot raste, fakte e reforma të ndërmarra në vite, që vërtetojnë këtë pozicion kakofonik social të dyja partive kryesore. Ndoshta kjo është e lidhur me faktin, se në kushtet e shoqërisë demokratike liberale është e vështirë ruajtja me fanatizëm e limiteve, standardeve dhe paradigmave strikte të “doktrinarizmit social”. Në këto kushte, problemi që përjetohet në shoqëri si kontradiktë, jo dhe aq e lehtë për të qenë e pajtueshme midis dimensionit të reduktuar të shtetit social dhe dominimit gati absolut të ekonomisë liberale të tregut, me përgjegjësi ekskluzive individuale e lidhur me vullnetin, angazhimin, forcën, adoptimin dhe përshtatjen e detyruar me këto imperativa, është thelbi i nevojës për një sinqeritet me të deklaruar dhe duke njohur dhe pranuar pa iluzione të vërtetat e kohës që jetojmë.

Në këtë kontekst, nuk besoj se debati për të krijuar një koncept të vërtetë për dimensionin apo mundësitë e ekzistencës së shtetit social, është thjesht një pretenciozitet sociologjik apo akademik. Nuk është e tepërt apo e panevojshme, të evidentohen fakte që në disa raste keqkuptimet e raportit midis shtetit social dhe pritmërive e pretendimeve hipersociale të individit, janë të lidhura me stratagjemat e qëllimshme apo të alambikuara, herë të maskuara apo të hapura, thelbësore apo për dukje, që sjellin paqartësi, mungesë horizonti, dembelizëm social e përtaci individuale. Në biseda me qytetarin e zakonshëm, kjo tautologji konceptuale me shtetin social, duket se ka ndikim negativ në debatin dhe shfaqjen e dëshirave empirike e subjektive të qytetarëve, penetrimi “tinëzisht” përmes tautologjisë boshe dhe kakofonisë terminologjike publike, nëpërmjet përdorimit evaziv të termave ambiguidë e të përgjithshëm, pa parë me kujdes nuancat, të cilat shpesh bëhen shkak, për deformime thelbësore konceptuale. Loja me nuanca terminologjike, përdorimi i njërit në vend të tjetrit, apo si i barazvlershëm me të, është një nga format e abuzimit intelektual, që ka pasoja në perceptimin dhe trajtimin e realitetit.

Në gjuhën e përditshme, madje për fat të keq edhe në mediat televizive dhe shtypin e përditshëm, në shumë raste shfaqen konfondime termash, pa përfillur përmbajtjen e veçantë, nuancat specifike të secilit prej tyre. Në të vërtetë, duhet ta shpërndajmë eterin që maskon natyrën e vërtetë të shtetit, të ndihmojmë që njerëzit të kuptojnë se përgjegjësia individuale është ekskluzive dhe mirëqenia sociale nuk është aq shumë në supet e “shtetit social” se sa në supet e individit. Ankesat, pritmëritë, pakënaqësitë, pretendimet konsistente të hapura ndaj përgjegjësisë sociale të reduktuar apo të minimizuar të shtetit, tregojnë se ndodhemi në një fazë delikate, kur koncepti për raportin aktual të shtetit, përgjegjësive të tij përballë shoqërisë, është në përmasa dhe dimensione të ndryshuara thelbësisht. Është me rëndësi për stabilitetin ekzistencial dhe konceptimin e drejtë të përgjegjësive të individit, që të kemi një perceptim adekuat, të ekuilibruar për rolet, funksionet, raportet e përgjegjësitë sociale respektive. Sepse paqartësitë, utopitë sociale, dëshirat politikisht romantike për raportet e shtetit me individin në shoqërinë tonë, pikërisht për shkak të paqartësive konceptuale apo eufemizmave latente të politikës, po bëhen pengesë për perceptimin e drejtë të këtyre raporteve.

Por problemi nuk është thjesht teorik, politologjik apo me sfond sociologjik. Sepse nuk është fjala vetëm për ekzigjencën teorike të definimit të raporteve të individit me përgjegjësinë sociale të shtetit. Fjala që kjo “kakofoni qarkulluese”, bashkë me të edhe perceptimi konservator e tradicional i këtij trekëndëshi ekzitencialisht i ndryshuar, qoftë për shkaqe e arsye historike apo nga ndikimet retrograde të modelit hipersocial e butaforik të së kaluarës, njerëzit po përballen me pengesa e vështirësi, që vijnë në formën e paqartësive politike e sociologjike, pikërisht nga deformimi i këtyre koncepteve, që nuk janë kompatibël me kohën, as analoge me zhvillimet e vërteta të shoqërisë postmoderne shqiptare.

Problemi është se në këtë tollovi dëshirash subjektive, perceptimesh sipërfaqësore, ka ndikimin mungesa e transparencës politike e të folurës direkte, pa “ambalazhe” të vjetra sociale, pa alambikime si kusht për të perceptuar dhe kuptuar thellë të vërtetat, si paradigma social-ekonomike të kohës, që me sa duket do jenë të pandryshueshme sot dhe në të ardhmen. Duhet kapërcyer hipokrizia, eufemizmat e shumta të “derdhura” nga politika, të cilat sidomos në kohë fushatash elektorale, zgjerohen premtimet sociale, hapet i ekzagjeruar “thesi social” dhe “dora e ngrohtë” e shtetit. Kaq shumë kaotike, e përzierë e politikisht antinormative është kjo situatë, sa që pavarësisht përkatësive të partive politike në spektrin politik dikatomik (e majtë, e djathtë), apo natyrës së programeve që kanë në thelbin e pozicionit specifik, nuk është e lehtë të dallosh pas tumnajave sociale, se cila parti është për dimensionin e shtetit social standard apo të modifikuar, të përshtatur me rregullat e shoqërisë liberale dhe paradigmat detyruese të ekonomisë së tregut.

Kjo është e vështirë, nga që jo vetëm koncepti dhe përdorimi i tij është i pasaktë, por dhe qytetarët nuk kanë aq sa duhet, idenë për dimensionet e shtetit social në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë. Por politika nuk do t’ia dijë, as tenton të mbajë përgjegjësi për ato që thotë apo premton. Ajo ka hallin e votave dhe e ka të qartë, se në kushtet kur vendi që është ende me tregues nivel të lartë varfërie, tautologjia me shtetin social, është një mjet për të krijuar mirazh, i cili i aplikuar në kohë fushatash, ka mundësi dhe mund të konvertohet në vota. Debati politik midis partive të majta dhe të djathta në Shqipëri lidhur me konceptin, mënyrën e artikulimit dhe përmbajtjen reale të shtetit social, në përgjithësi është me shume tautologjik e demagogjik, nganjëherë i kotë, dhe pa përmbajtje. Politikanët e përdorin konceptin e shtetit social, në esencë kaq shumë të hipertrofizuar, sa që në të vërtetë të duket sikur flitet për shtetin socialist, për shtetin paternalist me masshtab të madh social, me detyra dhe përgjegjësi sociale e integrale për mirëqenien e individit.

Megjithëse partitë politike shqiptare në programet e afishuara të tyre janë me standarde sociale të reduktuara, edhe pse e dinë që shteti në mënyrë progresive është reduktuar në kufijtë e shtetit liberal me dimension social minimal, përsëri për qëllime propagandistike dhe sidomos për objektiva empirike elektorale, politikanët nuk e kanë për gjë ta artikulojnë idenë e shtetit social, pa menduar se sa i vërtetë është ai dhe sa janë mundësitë për të pasur një shtet social në përmasa që pretendohet apo premtohet. Në këto kushte, është i patolerueshëm qëndrimi ambiguid, i ndërtuar abuzivisht në ekzistencën e pakuptuar të diferencës, realitetit empirik të atrofizuar të shtetit social, i cili në mënyrë të “detyruar” ia ka lënë vendin, hapësirën jetike në favor të përgjegjësisë së individit, i cili është kryesisht përgjegjës për fatin e tij.

/Gazeta Panorama

 

© Panorama.al

Te lidhura