Pasaniku i pronave të patundshme, Donald Trump, i cili kishte njoftuar se do të garonte për Presidencën e SHBA-së dhe më pas e la garën pak muaj para zgjedhjeve paraprake, ka kthyer sërish mendje duke u shprehur se mund “të jetë i detyruar” të garojë për një palë të tretë politike. Vendimi i tij u njoftua të dielën në programin e “CBS News”, “Face The Nation”. Në një intervistë marrë në klubin e tij “Mar-a-Lago” në Palm Beach, Trump fajësoi luftën mes republikanëve kandidatë, duke theksuar se ajo po dëmton shanset e tyre për të mundur Obamën në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa Trump tha se si Neut Gingriç, ashtu edhe Mit Romnej janë kandidatë që mund ta mundin Obamën, ai beson se lufta mes tyre po i dobëson shanset. “Mendoj se njerëzit nuk po i pëlqejnë më as demokratët dhe as republikanët si më parë”, tha ai. “Kështu që unë besoj se “të pavarurit” mund të fitojnë e sipas një sondazhi të një muaji më parë, unë isha i përzgjedhuri numër një si kandidat i tyre”, theksoi miliarderi, duke shtuar se shumë njerëz do të donin që ai të garonte dhe… “Shpresoj të mos më duhet ta bëj këtë, por absolutisht mund ta bëj”.











