
Ministri i Punëve Publike: Objektivi, përfundimi i tunelit të Kërrabës.
Politikat e strehimit, Olldashi: 100 apartamente me kredi dhe 859 banesa sociale me qira.
Pritet që qeveria gjatë këtij viti të sigurojë strehim për disa qindra familje, të cilat nuk kanë një banesë. Kjo do të bëhet përmes dy programeve që tashmë kanë kohë që po zbatohen, siç janë banesat sociale me qira dhe banesat me kosto të ulët. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, në daljen publike para mediave për përmbledhjen e arritjeve të vitit të kaluar dhe objektivat e vitit 2012, dha detaje edhe mbi politikat e strehimit, duke detajuar me shifra. Ministri theksoi se gjatë vitit 2012 objektiv i Ministrisë do të jetë “sigurimi i strehimit të 959 familjeve, 859 familje nëpërmjet vënies në eficiencë të banesave sociale me qira të ndërtuara në 7 bashki dhe 100 familje të tjera nëpërmjet programit të kreditimit të lehtësuar”. Paraqitja e këtij objektivi vjen pas punës së bërë për strehimin një vit më parë. Ai shpjegoi se përmes programit të banesave sociale me qira është bërë i mundur ndërtimi i disa qindra apartamenteve në disa bashki në vend për të ndihmuar kategori në nevojë. Vlera e banesave sociale me qira shkon në 4.8 miliardë lekë dhe përfshin mbi një mijë apartamente të ndërtuara. “Në total kanë përfunduar së ndërtuari 1138 apartamente në ndihmë të të pastrehëve”, u shpreh Olldashi. Përveç programit të banesave sociale me qira, është edhe programi i banesave me kosto të ulët, ku qeveria u mundëson disa kategorive një kredi për blerje banese dhe më pas paguan një pjesë të interesit apo interesin e plotë. “Për vitin 2011 nga ky projekt kanë përfituar 646 familje të kategorive të ndryshme”, tha ministri.
Rrugët e reja
Infrastruktura ka qenë një tjetër sektor ku u ndal ministri Olldashi gjatë fjalës së tij dje. Objektiv kyç i këtij viti në projektet e infrastrukturës për qeverinë mbetet përfundimi i rrugës Tiranë-Elbasan, përfshirë këtu tunelin e Kërrabës, që është një nga projektet më të përfolur. “Në qoftë se do të duhej ta mblidhja me një fjali objektivin më madhor të vitit 2012-të për Ministrinë e Punëve Publike, kjo do të ishte dritë në tunelin e Kërrabës. Unë jam i bindur se shumë më shpejt se sa e mendoni ju ne do të shohim dritë në tunelin e Kërrabës, në objektin më të rëndësishëm infrastrukturor që është duke u ndërtuar në vend, në autostradën Tiranë-Elbasan”, tha Olldashi. Të tjera projekte të rëndësishme në planet e këtij viti për Ministrinë janë edhe fillimi i ndërtimit të by-pass-it të Fierit, përfundimi i disa autostradave që jo rrallë janë bërë pjesë e akuzave politike, siç janë Levan-Tepelenë apo Fier-Vlorë.
100 kredi me interesa të buta për blerje banese do të jepen këtë vit nga qeveria në ndihmë të disa kategorive që përfitojnë sipas ligjeve në fuqi. Interesi i kredisë paguhet i plotë ose i pjesshëm nga qeveria.
Objektiva te 2012-s
Politikat e strehimit
Banesa gjithsej 959
Sociale me qira 859
Kredi të zbutura 100Infrastrukturë
Përfundimi i tunelit Tiranë-Elbasan
Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë–Elbasan
Përfundimi i autostradës Levan–Tepelenë
Përfundimi i autostradës Fier-Vlorë
Përfundimi i by-pass-it të Shkozetit, faza e parë
Përfundimi i rrugës Shkodër–Hani i Hotit
Fillimi i ndërtimit të by-pass-it të Fierit
Përfundimi i nyjës së Vlorës
NERTILA MAHO
© Panorama.al











