Shqiptarja hedh shkrimtarin italian në gjyq

May 15, 2011 | 11:57

Më 13 korrik do të fillojë në Gjykatën e Venecias seanca e gjyqit që poetja shqiptare Anila Hanxhari ka hapur kundër shkrimtarit Tiziano Scarpa, lidhur me romanin e tij të njohur “Sabat Mater”, fitues në vitin 2009 i çmimit “Strega”. Akuza e poetes shqiptare është se shkrimtari i njohur ka “bërë një përpunim krijues pa leje” të romanit “Maria delle caramelle”, dorëshkrimin e të cilit autorja e ka dërguar në vitin 2008 pranë shtëpive botuese “Mondadori” dhe “Einaudi”. Akuza nuk është për plagjiaturë, siç shpjegon në një intervistë dhënë gazetës “La Repubblica”, avokatja mbrojtëse e Anila Hanxharit, sepse “Tiziano Scarpa ka shtuar elementë të vet krijues, por kjo nuk mjafton për të mbuluar pjesët e përpunuara, ngjashmëritë dhe huazimet letrare”. Elementë që akuza i konsideron të mjaftueshëm për t’i quajtur si shkelje të së drejtës së autorit. Tani Anila Hanxhari kërkon dëmshpërblimin: “të paktën sa të ardhurat që ka sjellë romani i Tiziano Scarpas dhe që në fund të romanit të shkruhet që pjesë të tij janë frymëzuar nga “Maria delle caramelle”.

© Panorama.al

Te lidhura