Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar menjëherë pas përfundimit të protestës së opozitës mbrëmjen e sotme (20 shkurt) para Kryeministrisë dhe Parlamentit, duke vënë në dukje vendosmërinë e shqiptarëve për të rrëzuar regjimin e kryeministrit Edi Rama, ashtu sikurse 35 vite më parë u rrëzua regjimi i Enver Hoxhës.
Ai nënvizon se as plumbat e gomës dhe as dhuna kriminale apo rrëmbimet mafioze të protestuesve nuk ndalin dot “uraganin e lirisë”.
“20 Shkurti i rrëzimit të diktaturave konfirmoi vendosmërinë e shqiptarëve për të shembur regjimin e kalbur të Edi Ramës. As plumbat e gomës, as dhuna kriminale dhe as rrëmbimet mafioze të protestuesve nuk e ndalin dot uraganin e Lirisë”, shprehet Meta me një postim në rrjetin social Facebook.
Në fund të reagimit, Meta, i cili qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024 me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, falenderon pjesëmarrësit në protestë për guximin dhe qëndresën e treguar.
“Mirënjohje për guximin, qëndresën dhe vendosmërinë për t’i rikthyer Shqipërisë me çdo çmim Lirinë. FITORE!”, e mbyll reagimin kreu i PL-së.
© Panorama.al












