Kështu është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, nga qyteti i Shkodrës, paraditen e djeshme, në një takim të organizuar në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Krahas çështjes më të debatuar së fundi, në lidhje me tentativat për të ndryshuar kombësinë nga qytetarë të ndryshëm me vendim gjykatash, Spahiu i ka shtuar edhe pikën tjetër: atë të regjistrimit të popullsisë, ku duhet të vetëdeklarohet edhe besimi fetar. Nisur dhe nga fakti që në Shkodër janë shënuar disa tentativa për ndryshime kombësie në serbo-malazeze apo deklarimeve të pak ditëve më parë të kreut të shoqatës “Moraça-Rozafa”, Pavllo Jako, i cili atakonte direkt nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiun, ky i fundit u përgjigj dje. “Kam kërkuar të njihem nga afër me situatën në Shkodër. Jam njohur nga Gjykata e Rrethit Shkodër që kohët e fundit ka pasur disa raste, edhe pse të pakta në numër, të qytetarëve të ndryshëm për të ndryshuar kombësinë nga shqiptare në atë malazeze apo serbo-malazeze, me vendime gjyqësore. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi nëse lejojmë ndryshimin e kombësisë, kjo përbën një rrezik të madh për sovranitetin e Shqipërisë. Ky përbën një problem, pasi në mbarë Shqipërinë janë me mijëra kërkesa për të lënë kombësinë shqiptare dhe për të marrë kombësi të huaja, kryesisht të vendeve fqinje. Nëse ne do të kemi një tolerancë në legjislacion, për moszbatimin e ligjit në lidhje me lënien e kombësisë, në mënyrë fiktive dhe artificiale, po ju them me bindje të plotë se kjo do të përbëjë rrezikun më të madh për sovranitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë”. Spahiu deklaroi se një regjistrim mbi baza etnike dhe një vetëdeklarim i kombësisë dhe i fesë do të rritë garën mes komuniteteve të ndryshme dhe kombësive të ndryshme, për të shtuar tensionet etnike dhe fetare në vend. Ai u shpreh kundër tentativës për të bërë një regjistrim nga ana e institucioneve shtetërore, ku qytetarëve t’u kërkohej që të vetëdeklaroheshin për besimin e tyre fetar. “Shteti e ka të ndaluar të pyesë qytetarët e vet për besimin fetar, ndërkohë që një detyrë e tillë u përket komuniteteve fetare që të bëjnë sondazhe në lidhje me numrin e përkatësisë së besimtarëve të ndryshëm, siç ndodh në Gjermani, në Francë, Itali, etj”, deklaroi Spahiu. Sipas tij, të pyesësh për përkatësinë fetare është njësoj si të pyesësh qytetarët për bindjet politike, ndërkohë që këto përcaktohen si të drejta kushtetuese, e jo të shkohet derë më derë për t’iu përgjigjur.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e universitetit merrnin pjesë përfaqësues të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, pedagogë, studentë si dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit. “Në Shkodër më shumë se kurrë, më shumë se në çdo vend tjetër mund ta kuptojnë se çfarë do të thotë tendenca, që në kundërshtim me standardet evropiane, të ketë një garë të shfrenuar, në kundërshtim me të gjitha standardet e vendeve evropiane për t’u regjistruar shqiptarët si serbë dhe malazezë apo grekë. Procesi i parandalimit të ndryshimit masiv dhe artificial të kombësisë kërkon një zgjidhje të shpejtë kushtetuese si një mënyrë për të frenuar këtë proces antievropian që po ndodh në Shqipëri”, përfundoi numri 2 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
SHKODER/ RITVAN DIBRA











