MIRTON RESULI
Vera që po lëmë pas do të kujtohet, ndoshta, si stina e ringjalljes nacionaliste, të paktën në vëmendjen e shtypit, ose më saktë, të atyre që kanë një ndikim tek opinioni publik shqiptar. Ky debat, që tashmë ka hyrë në një dimension interesant, është një burim i fortë zhgënjimi personal. E kisha menduar gjatë një shkrim për nacionalizmin, duke kaluar orë të tëra mbi librat-bibël të teorisë politike bashkëkohore, kisha krahasuar mendimin e autorëve më të cituar përsa i përket temës në fjalë. Nuk do të mungonte edhe një mendim i imi personal, sado modest… Fatkeqësisht, temperatura e gushtit zgjoi tek unë instinktet më të spikatura të trashëguara nga e kaluara bizantino/osmane (pjesë i një “makthi ” tjetër, paralel, shumë në modë), kështu që debatit filozofiko-politik i preferova kaltërsinë mbresëlënëse të brigjeve shqiptare.
I sapokthyer nga ato bukuri natyrore, mendova t’i futesha me vrull idesë time, por ndërkohë vorbulla e pikëpamjeve mbi nacionalizmin kishte marrë, për fatin tim të keq, përmasa të ngjashme me ato të uraganit “Irene”. Në fakt, ky uragan nuk shkatërroi brigjet lindore të SHBA, ashtu siç mendohej, dhe do të mbahet mend si një “kushëri i varfër” i shkatërrimtares “Katrina”.
Debati për nacionalizmin shqiptar, në fakt, nuk është i varfër, thjesht sepse njohuritë akademike të protagonistëve mbi temën në fjalë nuk janë aspak të varfra. I respektoj këto mendime që vijnë nga intelektualë me të cilët më bashkon një pjesë e mirë idesh, madje në disa raste edhe një miqësi e sinqertë. Albert Einstein, që nga akademia merrte vesh, dikur paska thënë se “teoria është kur i dimë të gjitha, por asgjë nuk funksionon; praktika është kur gjithçka funksionon, por asnjeri nuk di përse”. Shkaqet, background-i teorik i fenomenit nacionalist është shpjeguar mirë. Por, sa këto shpjegime shpalosen në një mirëkuptim nga objekti – subjekt i nacionalizmit, opinioni publik – kjo është diçka tjetër, një element deri tani dytësor në debat.
M’u kujtuan shokët e mi të çadrës në ditët plot diell dhe dallgë, dhe m’u dhimbsën. Ndoshta disa nga ata, plot fat, përvëlohen akoma nëpër plazhet e Jugut dhe kalojnë kohën duke lexuar komente, opinione, analiza, replika: por ja që një çikë dielli, një çikë bostani i ftohtë, një çikë zhurma e diskotekave, një çikë debatet mbi nacionalizmin, ja që kam përshtypjen dhe frikën që nga pushimet e merituara ata mund të kthehen me një migrenë të paparë. Si ta konceptojnë nacionalizmin këta miqtë e mi plazhistë dhe si shfaqet tek ata ky virus që thuhet se ka mbërthyer shoqërinë shqiptare?
Pa dyshim, nëse nacionalizmi shqiptar ka një dukuri, ajo është pasiviteti. Nacionalizmi pasiv nuk rivalizon me të tjerët, por e gjen tek vetja elementin e kontrastit, armikun. Mirë dhe gjatë është debatuar këto ditë mbi figurën e tradhtarit, por gjithmonë me retorikën klasike të përballjes me “armiqtë” tanë klasikë, serbët dhe sidomos grekët. Ky këndvështrim, si paradoks, është në vetvete pjellë e një nacionalizmi ndoshta të pavetëdijshëm, por, sigurisht, me rrënjë të forta në shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë, kohët e fundit po shfaqen elementë të tjerë dhe të ndryshëm të nacionalizmit praktik, të atij nacionalizmi të nivelit të ulët, por që ka efekte edhe më të dukshme në të përditshmen.
Mos të çuditet lexuesi atëherë që armiqtë e sotshëm të nacionalistëve, që mbushin kafenetë dhe internet point-et e vendit, nuk vijnë nga Beogradi, dhe jo vetëm nga Athina, por nga Zyrihu, nga Berna, ndonjëherë edhe nga paqësorja Stokholm.
“Tradhtarë, kuislingë të vegjël, pritni, pritni se do t’ju vijë radha kur të luani në Tiranë”. Kjo është, pak a shumë, ideja dhe pritshmëritë ndaj katër a pesë futbollistëve pak më shumë se adoleshentë, të rritur ose të lindur në Zvicër ose Suedi, që kanë guxuar të luajnë futboll me fanellën e kuqe të gabuar, atë me kryq të bardhë dhe pa shqipen e dashur të qëndisur mbi zemër. Të famshmit Blerim Xhemaili dhe Valon Behrami, por edhe emergjentët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri: të gjithë në një vorbull, të gjithë të padenjë, të gjithë që shpalosin talentin e tyre nëpër Europë, këta neomercenarë, për një tjetër tokë, një tjetër himn.
Tradhtarë sepse ai talent buron ekskluzivisht falë gjakut të pastër ilir që i qarkullon në trup, sipas kësaj teorie. Nacionalizmi praktik, ironikisht, mund të ketë edhe efekte pozitive për personazhet që shënjestrohen. Në Youtube, pa dyshim, njëra nga këngët shqiptare më të suksesshme të verës është ajo e Elvana Gjatës, “Afër dhe larg”: këngë interesante, këngëtare interesante dhe video akoma më interesante, xhiruar në ishullin grek, Santorini. Një bum i vërtetë, mbi 900 mijë shikues, një pjesë e mirë e së cilëve, ama, dridhej edhe një herë për tradhtinë e kryer ndaj brigjeve tona, ndaj bukurive tona të virgjëra (por pa infrastrukturë) që nuk u pasqyruan në video. Në skemën e tradhtarëve “pop”, edhe Bleona Qerreti, që duke mohuar prejardhjen e saj kuqezi, paska skuqur faqen e mijëra emigrantëve që mundohen përditë në SHBA.
Sinqerisht, nuk dua të banalizoj çështjen me këta shembuj, që mund t’u duken modestë studiuesve dhe një pjesë të lexuesve, as të tregohem më ironik se ç’duhet. Historia shqiptare, mbarëshqiptare dhe rajonale, në njëfarë mënyre, na detyron që të mos anashkalojmë elementë shqetësues, si ato që kanë të bëjnë me përqasje ekstreme të mirëfillta (shqiptarizimi i forcuar i toponomisë etj.), por duhet theksuar gjithashtu që nga e njëjta vorbull kaotike mund të gjejnë një shteg, ashtu siç ndodh me kaktuset nëpër shkretëtirë, rrënjët e një identiteti të mirëfilltë, të matur, që kapërcen modelin e “identitetit-kala”, i cili duhet të mbrohet me çdo kusht, nga çdokush, domëthënë përqasja e deritanishme.
Një viktimizim i pashoq, pra, ku edhe elementë thjesht të parëndësishëm, që nuk kalojnë fazën e të qenit piktoreskë, marrin rëndësi, pushtojnë mendjen e një mori gjithmonë e më të madhe njerëzish, kryesisht të rinj, kryesisht pak të shkolluar, kryesisht të keqinformuar dhe fare mirë të manipulueshëm.
Kapërcimi i modelit të “identitetit-kala” nuk ka si t’i shpëtojë fillimisht nacionalizmit si pilastër rreth të cilit të formësohet, por është gjithashtu e pashmangshme që me kohë, vullnet, por edhe një nivel edukimi më të lartë dhe cilësor se mesatarja e sotme, të kanalizohet në rrjedhën normale që karakterizon dinamikat politike perëndimore, ku tashmë ekstremet nacionaliste mbeten pjesë aktive, por më së shumti në funksionin e një “valvule sigurie” që mundëson zbutjen e tensioneve me një kosto politike dhe sociale sa më të ulët. Kemi, pra, probleme ende të pazgjidhura, probleme që shpesh përkojnë jetën e qytetarit të mesëm, por kurrsesi elemente dramatike, dhe nuk ka nevojë të zmadhohen për të përmbushur autoreferencialitetin që na karakterizon. Nuk ka dyshim që “nacionalizmi” dhe “patriotizmi” janë dy koncepte të ndryshme (dhe kjo gjë është debatuar në këtë verë të nxehtë dhe plot zjarre), por gjithsesi, në rrafshin e një të menduari praktik, stërhollimi mbi këto terma më duket i tepërt.
Për t’iu rikthyer për një çast, një çast të vetëm, teorisë, nuk më hiqen nga mendja fjalët dhe konteksti ku termi “nacionalizëm” është shfaqur për herë të parë: ishte viti 1798 dhe në memoriet e tij, abati Barruel shkruan në mënyrë jo gjithëpërfshirëse (ai ishte një anti-iluminist i shquar), por thuajse profetike po ta shohim në perspektivën e ngushtë të vendit tonë: “Nacionalizmi mori vendin e Dashurisë së Përgjithshme dhe u lejua që të huajt të përbuzeshin, të talleshin dhe të ofendoheshin. Ky virtyt u quajt patriotizëm”.











