“Shqipëria që kemi humbur!”- Aktori i njohur në New York: Kur durimi i popullit ka arritur kufijtë, vetëm një reagim i fuqishëm qytetar mund të sjellë ndryshimin

Jun 8, 2026 | 10:35

 

Marko Caka protestaNga Marko Caka, Nju Jork 

Në karrierën time 10-vjeçare në Greqi, kam qenë i rrethuar nga shumë miq dhe bashkëpunëtorë nga fusha të ndryshme të jetës. Sot, fatkeqësisht, kjo nuk qëndron më.

Ndër njerëzit me të cilët kam pasur komunikimin dhe bashkëpunimin më të ngushtë kanë qenë ambasadorët shqiptarë në Greqi të asaj kohe,  Kristo Robo, Bashkim Zeneli dhe Vili Minarolli. Me secilin prej tyre ruaj kujtime të bukura, jo vetëm si gazetar, por edhe si emigrant shqiptar. Ata gjendeshin pranë komunitetit në çdo problem dhe e kuptonin peshën e përgjegjësisë që mbartte përfaqësimi i një vendi, një e treta e popullsisë së të cilit jetonte në shtetin fqinj.

Më kujtohet kur ambasadori Bashkim Zeneli mori detyrën. Ai na mblodhi të gjithëve dhe na tha:- “Kjo ambasadë është edhe zyra juaj. Dyert do t’i keni gjithmonë të hapura, sepse misioni juaj është fisnik, pena juaj sjell zërin dhe problemet e emigrantëve.” Këto nuk mbetën thjesht fjalë.

Ai u gjend pranë emigrantëve shqiptarë sa herë që u shkeleshin të drejtat, por edhe në momentet e suksesit të tyre. E njëjta frymë vazhdoi edhe me ambasadorin Vili Minarolli, prania e të cilit ndihej kudo ku kishte nevojë komuniteti shqiptar. Dua të veçoj një rast që tregon humanizmin e tij të jashtëzakonshëm.

Një bashkëmoshatare e tim eti u përball me një tragjedi familjare. Djali i saj, pas një aksidenti me motor, kishte qëndruar mbi një vit në koma në një spital të Athinës. Kur mjekët humbën çdo shpresë dhe vendosën të ndërprisnin aparaturat, e vetmja zgjidhje ishte transportimi i tij në Shqipëri me mjete të specializuara mjekësore. Në mesnatë telefonova ambasadorin Minarolli.

Që nga ai moment ai nuk reshti së ndjekuri çështjen. Ndërsa procedurat burokratike zakonisht zgjasin me javë, në këtë rast gjithçka u realizua brenda vetëm 12 orësh. Trupi i të riut u transportua në Shkodër dhe familja e tij mundi ta kishte pranë në momentet më të vështira. Humanizëm i tillë tek njerëzit e pushtetit është shumë i rrallë në ditët e sotme.

Sot, ambasadorët dhe shumë funksionarë të tjerë nuk i njeh pothuajse askush. Ata janë mbyllur në zyrat e tyre dhe kanë humbur kontaktin jo vetëm me qytetarët e thjeshtë, por edhe me median. Duket sikur nuk kanë asnjë agjendë përveç ruajtjes së pozicioneve të tyre, të siguruara nga mbështetja politike.

Një pjesë e madhe e pushtetit mbrohet nga oligarkët. Ata janë kthyer në një nga problemet më të mëdha të vendit, sepse ndikojnë në emërime dhe sigurojnë mbrojtje për abuzimet e pushtetit. Edhe kur institucionet e drejtësisë paraqiten si të pavarura dhe profesionale në luftën kundër korrupsionit, shumë qytetarë ndiejnë se kur bëhet fjalë për interesat e mëdha ekonomike, rezultatet janë të pakta.

Këtu qëndron edhe thelbi i problemit. Përmes lidhjeve me politikën, oligarkët jo vetëm mbrojnë interesat e tyre, por sigurojnë pasuri dhe privilegje që zgjasin për breza të tërë. Përfitimet janë të jashtëzakonshme dhe ndikimi i tyre në jetën publike bëhet gjithnjë e më i madh.

Ky është sistemi që është ngritur në Shqipëri sot. Dhe shumë njerëz besojnë se vetëm një reagim i fuqishëm qytetar mund të sjellë ndryshim, atëherë kur durimi i popullit të ketë arritur kufijtë e tij.

© Panorama.al

Te lidhura