Shqipëria mposht BE-në… në futboll

Jun 3, 2012 | 13:37

Ministri i Jashtëm Haxhinasto lejon Sekuin ta triblojë, surprizat e ndeshjes.

Ka qenë një ndeshje e nxehtë ku tifozeria mund të ishte mbase edhe më e zjarrtë sesa në një ndeshje profesionistësh. Kjo sepse simbolika e ndeshjes ishte intriguese, futboll mes skuadrave të Shqipërisë dhe BE-së. Kanë zbritur në fushë aktorët e “Portokallisë”, por edhe politikanë e gazetarë, për të dhuruar një show interesant teksa vraponin në kërkim të golit. Në fund, mes shumë peripecish, fiton Shqipëria me penallti. Shpresojmë që edhe në politikë Shqipëria t’ia dalë për t’u futur sa më shpejt në Europë, e pranojmë edhe në kohë shtesë, njësoj si në këtë ndeshje futbolli.

Politikanët në formë të mirë edhe në futboll
Interesante ishte të shihje deputetin Gazmend Oketa në fushën e blertë. Në një formë të shkëlqyer, Oketa vraponte më shumë se të tjerët në kërkim të topit. Ta shohim nëse do vrapojë po kaq në kërkim të votave, me partinë e re. Ndërkohë, prefekti i Tiranës Klevis Kruja u tregua shumë altruist, pasi të gjithë topat ia jepte me zemërgjerësi zv/ministrit të Shëndetësisë, Bardh Spahisë. Ministri i Jashtëm Haxhinasto u tregua shumë xhentil por edhe diplomat duke mos e penguar Ettore Sequin, por e lejonte të gjuante.

Futbolli nuk është punë këngëtarësh
Alban Skënderaj mund të ishte një nga lojtarët më të ngathët në të dyja skuadrat. Impenjimet e shumta dhe puna para një pianoje e kanë dembelosur me sa duket këngëtarin e njohur, i cili u lodh shumë shpejt.

Gazetarët bëjnë figurë të mirë
Bledar Zaganjori, Mustafa Nano, Aleksandër Çipa ishin disa nga gazetarët e njohur që morën pjesë në ndeshje. Edhe pse kanë një punë ulur, forma e tyre fizike të linte pa fjalë. Asnjëri mbipeshë ose me barkun tipik të një mashkulli intelektual, ata luajtën shumë mirë në ndeshje.

Futbollistët seriozë edhe në një ndeshje  jo profesioniste
Edhe pse ishte thjesht një ndeshje miqësore ku nuk pretendohej nivel i lartë, Agustin Kola, futbollisti i njohur i cili i ka kaluar të 50-at dhe nuk luan prej shumë vitesh, e kishte marrë me shumë seriozitet lojën. Po kështu edhe Lala e Jupi. I vetmi futbollist që luan akoma, pjesëmarrës në këtë ndeshje, ishte Erjon Bogdani.

Besi, Flori dhe Gazi të “Portokalli” dhurojnë humor në fushën e blertë
Aktorët Florian Binaj dhe Besart Kallaku (Gjini) luanin për BE-në përballë Gazmend Pajës që luante për Shqipërinë. Mes tyre pati një ngatërresë të lezetshme, sepse shtynin e pengonin njëri-tjetrin në kërkim të topit, duke dhuruar humor edhe në futboll.

Kush bëri gol dhe kush humbi penalltitë
Golat për Shqipërinë i bëri Agustin Kola dhe Altin Lala, për BE-në Besart Kallaku dhe Bardh Spahija. Penalltitë i humbi Gjiknuri dhe Sequi dhe si përfundim fitoi Shqipëria.

© Panorama.al

Te lidhura