“Shqipëria e Kosova të bashkojnë ambasadat”

May 3, 2011 | 11:29

Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkojnë ambasadat. Propozimi është bërë dje nga kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, teksa zhvilloi turin elektoral në qarkun e Elbasanit: në Librazhd dhe në Cërrik. “Shqipëria dhe Kosova duhet të integrohen mes njëra-tjetrës, brenda rregullave dhe parimeve ndërkombëtare. Bashkimi ekonomik është një aspekt i nevojshëm që ne e kemi deklaruar gjithnjë dhe do ta kemi në qendër të programit tonë. Prandaj dhe ne sot i bashkohemi nismës të shpalosur pak ditë më parë në Kosovë, që Shqipëria dhe Kosova të kenë një politikë të jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta, ashtu sikurse kanë edhe shtete të tjera. Kjo është një domosdoshmëri e kohës dhe e nevojave të kombit shqiptar”, tha Idrizi në Librazhd, ku promovoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Shefki Çota. “Vota juaj këtë herë është një votë për bashkëqytetarin tuaj, për një person që ka një program të qartë dhe të pastër për qytetin e Librazhdit. Ndaj ju ftoj të gjithëve të votoni për Shefki Çotën, si kryetar i Bashkisë së Librazhdit dhe për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet për Këshillin Bashkiak”, shtoi Idrizi.

© Panorama.al

Te lidhura