Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ndal në fjalën e saj në Kuvend tek marrëdhënia me Kosovën si një përgjegjësi historike dhe kombëtare.
Shqipëria, tha Spiropali, do të mbetet një zë i fortë për të drejtën e Kosovës, për integrimin e saj ndërkombëtar dhe për dinjitetin e shtetit të saj, sepse stabiliteti i rajonit kalon përmes një Kosove të fortë, të njohur dhe të integruar në strukturat euroatlantike.
Në këtë kuadër, proceset në Hagë, sipas saj, kanë një rëndësi të veçantë.
“Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt. Ajo matet me standardin e barazisë, me koherencën e saj dhe me aftësinë për të mos u kthyer në instrument të leximeve të njëanshme historike. Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet. Ishte një luftë për mbijetesë dhe për liri, pas një periudhe të gjatë represioni sistematik. Ky është fakt historik i dokumentuar ndërkombëtarisht. Për këtë arsye, çdo proces gjyqësor që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me një vetëdije të plotë për kontekstin, për disproporcionin e forcës dhe për realitetin e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile”, tha Spiropali.
Spiropali theksoi se “drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta, nuk mund të krijojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan moral dhe historik”.
Spiropali: Shqipëria në hartën e vendeve që marrin përgjegjësi ndërkombëtare
I ndalur tek prezantimi i pr ligji per “Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, ministrja deklaroi se “Shqipëria nuk është më një vend që pret në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare. Shqipëria është një vend që flet, propozon, ndërmjetëson dhe merr përgjegjësi.”
Sipas Spiropalit, ky realitet i ri nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i një transformimi të thellë politik, institucional dhe diplomatik, të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, i cili e ka vendosur Shqipërinë në hartën e vendeve që kanë zë, iniciativë dhe besueshmëri ndërkombëtare.
“Kemi qenë një vend që kërkonte vëmendje, por nuk kishim gjithmonë peshën për ta tërhequr atë. Një vend që trokiste në dyer, por shpesh nuk e dinte si të hynte brenda. Nga një vend që luftonte për statusin kandidat, sot jemi një vend që synon mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Nga një vend që shihej si problem, sot jemi një vend që kërkohet si partner në tryezat ndërkombëtare. Një vend që propozon iniciativa rajonale, që ndërmjetëson dialog dhe që merr përgjegjësi ndërkombëtare. Kjo është diferenca mes asaj ku ishim dhe asaj ku jemi”, tha Spiropali.
Ministrja e Jashtme deklaroi se në një botë më pasigurt se ajo që njihnim vetëm pak vite më parë, Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon.
“Sot jetojmë në një botë më të pasigurt se ajo që njihnim vetëm pak vite më parë. Lufta është rikthyer në kontinentin europian. Në këtë realitet të ri, shtetet nuk gjykohen më vetëm nga madhësia e tyre, por nga qartësia e orientimit të tyre, nga besueshmëria si partnerë dhe nga aftësia për të marrë përgjegjësi. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon. Kjo nuk është më një aspiratë abstrakte. Është një projekt konkret shtetëror”, theksoi Spiropali.
© Panorama.al












